Tetova nikoqire e Turneut Mbarëkombëtar të futbollit për fëmijë

TETOVA 2023: MARRIN PJESË TETOVA, DURRËSI, PEJA , ULQINI E BUJANOCI

Me defilimin e  pesë ekipeve  pjesëmarrëse  dhe  intonimin e himnit kombëtar, në Tetovë u hap edicioni i 18-të i Turneu Mbarëkombëtar të futbollit për fëmijë U-15, “Tetova 2023”. Në ndeshjen hapëse mes Tetova mundi Durrësin 4-2 pas ekzekutimit të penaltive, njofton KlanM.

Fëmijët nga Durrësi, Peja, Ulqini dhe Bujanoci mirëpriten nga moshatarët e tyre në Tetovë në edicionin e 18-të të Turneut Mbarëkombëtar të futbollit.

Turneun mbarëkombëtar “Tetova 2023”, sic njofton KlanM, e shpalli të hapur Kryetari i Komunës së Tetovës, Billall Kasami, duke përshëndetur bashkëpunimin e qyteteve shqiptare.

“Ndoshta një ditë do të jemi të bashkuar në Europën e bashkuar, por ne duhet dhe mund të bashkohemi dhe të bashkëpunojmë që edhe sot edhe nesër derisa të vije ajo ditë. Ne edhe përkundër kufijve politik të cilët edhe na kanë ndarë, jemi të bashkuar sepse jemi një komb dhe askush nuk mund të na ndajë” – tha Bilall Kasami.

Koordinatori i qyetit nikoqir, Muzafer Livoreka, falënderoi  të gjithë ata  që kanë kontribuar për organizimin e këtij manifestimi gjithëkombëtar në veçanti nxënësit e shkollave fillore të cilët kanë mirëpritur  moshatrët e tyre nga Durrësi, Peja, Ulqini dhe Bujanoci.

“Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë familjarët  të cilët kanë hapur  dyert e tyre dhe kanë shtruar sofrat e veta për të gjithë fëmijët  e trojeve shqiptare të shijojnë mikpritjen tetovare “ – deklaroi Muzafer Livoreka.

Në emër të koordinatorëve të qyteteve pjesëmarrëse, sic njofton KlanM,mbështetja për organizatorët erdhi nga Gzim Hajdinaga koordintorit nga Ulqini.

“Dua të shprehi kënaqësinë time personale që një rrugëtim kaq i gjatë, duke filluar nga Durrësi i cili  jo vetëm për futbollin ka qenë qytet dhe adresë e vatrës shqiptare në nismat tone kombëtare në përgjithësi. Dua të jem krenar dhe të them që do vazhdojmë si Ulqin të jem pjesë e këtij manifestimi kaq kulmor dhe me rëndësi” – tha Gzim Hajdinaga.

Në ndeshjen hapëse të turneut mbarëkombëtar të futbollit , reprezentacioni i Tetovës pas ekzekutimit të penaltive mundi Durrësin  me rezultat 4-2, pasi në kohën e rregullt ndeshja përfundoi me barazim  pa gola 0-0.            /KlanMacedonia/

Përgatiti: Shaban Sinani

Lexo gjithashtu
Total
0
Share