PETROVSKA: “FALEMINDERIT QË SHPËTUAT SULEJMANIN E VOGËL”
Ceremonia e pritjes së 60 ushtarëve të batalionit për njësinë speciale të RMV-së, të kthyer nga zona e tërmetit në Turqi, sic njofton KlanM, filloi me një minutë heshtje në nder të viktimave nga kjo fatkeqësi.
Sipas Ambasadorit të Turqisë në Shkup, sakrifica e ushtarëve të ARMV-së, do të mbetet përjetësisht në kujtesën kolektive të popullit turk.
“Djem trima të ushtrisë maqedonase, ju sapo u kthyet në vend, por sakrifica dhe solidariteti juaj i madh do të mbetet i gdhendur thellë në kujtesën e popullit turk dhe do të kujtohet përgjithmonë në Republikën e Turqisë” – tha Hasan Mehmet Sekizkok, ambasador i Turqisë në RMV.
Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, sic njofton KlanM, tha se kur bota dhe ne u përballëm me rezultatet e asaj që ndodhi në Turqi nga tërmetet e frikshëm nuk kishim aspak hamendje se do të duhet të përgjigjemi në thirrjen për ndihmë të Turqisë dhe falënderoi ushtaret që shpëtuan Sulejmanin 5 vjeçar dhe siç tha i dhanë mundësi të rritet në një djalë të ri të suksesshëm.
“Në koordinim me presidentin dhe me shefin e shtabit të përgjithshëm , vendosem se do të duhet ti dërgojmë më të mirët, më të trajnuarit, më të përgatiturit, për një detyre kaq të ndërlikuar dhe të vështirë për të nxjerrë dhe shpëtuar atë që mund të shpëtohej, faleminderit që shpëtuat Sulejmanin e vogël dhe i dhatë mundësinë të rritet në një djalë të ri të suksesshëm” – deklaroi Slavjanka Petrovska, minsitre e Mbrojtjes së RMV-së.
Presidenti Stevo Pendarovski u shpreh se misioni i tyre në Turqi ishte një shembull i vërtetë i solidaritetit ndërkombëtar dhe sic njofton KlanM, shtoi se sipas informatave të NATO aleancës, njësitë tona ishin në pesë të parat që ishin aty për të ndihmuar.
“I gjithë populli i Maqedonisë i ndihmuan Turqisë dhe do t’i ndihmojnë edhe në të ardhmen në çfarë do situate, jo sepse jemi anëtarë të NATO-s por sepse miqësia jonë ekziston shekuj më herët dhe do të ekzistoje me shekuj në të ardhmen dhe dua t’i siguroj të gjithë popullin turk nëpërmjet ambasadorit të tyre këtu se kemi ndihmuar dhe do të ndihmojmë edhe në të ardhmen” – deklaroi Stevo Pendarovski.
Ceremonia përfundoi me fotografi të përbashkët me 60 ushtaret e batalionit të njësinë speciale të RMV-së dhe dy qentë Koni dhe Piksi të cilët ishin pjese e grupit të kërkim – shpëtimit.
Ndërkohë nga Kryqi I Kuq I Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se deri ditën e djeshme, përmes linjave telefonike dhe nga Fondi për solidaritet të Kryqit të Kuq janë grumbulluar mbi 31 milion denarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Avni Tahiri