Tërmeti në Kinë, ekipet e shpëtimit garojnë me kohën për të gjetur të mbijetuar

Të paktën 66 viktima dhe mijëra persona të evakuuar, vijojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë ndihmuar në evakuimin e më shumë se 11,000 njerëzve pas një tërmeti me magnitudë 6.8 goditi provincën malore jugperëndimore të Kinës, Sichuan duke vrarë të paktën 66 njerëz.

Pamjet nga media shtetërore, tregojnë punonjësit e emergjencave që marrin një person të plagosur mbi një urë të improvizuar të ndërtuar me trungje pemësh, ndërsa poshtë tyre përrenjtë vërshojnë.

Ekipet e shpëtimit u përpoqën të arrinin njerëzit e bllokuar dhe të dërgonin ndihma emergjente.

Në total, më shumë se 250 njerëz mësohet se janë plagosur si pasojë e tërmetit të fortë.

Edhe dëmet materiale kanë qenë të shumta. 243 shtëpi janë shembur dhe 13,010 janë dëmtuar. Katër hotele dhe qindra akomodime turistike gjithashtu janë dëmtuar.

Tërmeti ndërpreu energjinë në disa qytete, ndërsa autostrada të ndryshme u shembën dhe shtatë hidrocentrale pësuan dëmtime.

Tërmetet janë të zakonshme në Sichuan, veçanërisht në malet e tij në perëndim, një zonë tektonikisht aktive.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share