Tërmeti në Afganistan shkatërroi 12 fshatra, raportohet për qindra të vdekur dhe mijëra të plagosur

Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që goditi Afganistanin perëndimor, afër kufirit iranian. Autoritetet dyshojnë se numri i viktimave është shumë më i lartë. Tërmeti me magnitudë 6.3 shkatërroi të paktën 12 fshatra pranë qytetit të Heratit të Afganistanit.

Tërmeti pati pasgoditje të fuqishme. Të mbijetuarit e përshkruan tmerrin që kanë përjetuar teksa ndërtesat u shembën rreth tyre. Punonjësit e kërkim-shpëtimit punuan gjatë gjithë natës duke u përpjekur të gjenin të mbijetuar të bllokuar nën rrënoja.

“Ishim në zyrat tona dhe papritmas ndërtesa filloi të dridhej. Suvaja e mureve filloi të binte dhe muret u plasaritën, disa mure dhe pjesë të ndërtesës u shembën. Nuk mund të kontaktoj me familjen time… Jam shumë i shqetësuar dhe i frikësuar, ishte e tmerrshme”, tha banori i Heratit, Bashir Ahmad për agjencinë e lajmeve AFP.

“Situata ishte shumë e tmerrshme, unë kurrë nuk kam përjetuar një gjë të tillë,” tha studenti Idrees Arsala për AFP.

Herati ndodhet 120 km në lindje të kufirit iranian dhe konsiderohet të jetë kryeqyteti kulturor i Afganistanit.

Afganistani goditet shpesh nga tërmetet, veçanërisht në vargun malor Hindu Kush pasi shtrihet pranë kryqëzimit të pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane. Në Qershor të vitit të kaluar, Patika u godit nga një tërmet me magnitudë 5.9 i cili vrau më shumë se 1000 njerëz dhe la dhjetëra-mijëra të pastrehë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share