Tërmet politik në Holandë. Nacionalistët euroskeptikë fitojnë zgjedhjet e përgjithshme

Tërmet politik shkaktuan zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së Mërkurës në Holandë.

Euroskeptikët nacionalistë të Gerd Vildersit triumfuan bindshëm duke u renditur në krye, për të parën herë në 17 vite ekzistencë të Partisë së tyre të Lirisë.

Ata më tepër se dyfishuan vendet e tyre në parlament, krahasuar me zgjedhjet e 2021-shit.

Tashmë do të kenë 37 vende që megjithatë, janë shumë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur ku është e nevojshme një mbështetje prej 76 deputetësh nga 150 që ka në total dhoma e ulët e parlamentit holandez.

Premtimet për kufij të mbyllur për emigrantët dhe tërheqja e përkohshme nga plani për shpalljen të jashtëligjshëm të Kuranit, duket se ndikuan tek dyfishimi i mbështetjes për partinë e tij.

Megjithatë, analistët thonë se gjasat janë të pakta që Vilders të nxisë ëndrrën e vjetër të tij, daljen nga Bashkimi Europian.

Liberal-konservatorët e ish-kryeministrit Mark Rutte që tani drejtohen nga turkja Dilan Jeshëllgëz që deri vitin e kaluar ka qenë ministre drejtësie, humbën 10 vende nga legjislatura e kaluar dhe u renditën të tretët.

Rritje ka koalicioni i majtë i eurokomisionerit Frans Timermans që u rendit në vend të dytë.

Të dyja këto parti nuk e përjashtojnë më mundësinë e bashkëpunimit me Gerd Vildersin, i cili po ashtu duket se e ka zbutur qëndrimin e tij radikal, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e një qeverie minorance ashtu si pararendësja e Mark Rutes. Fitorja e Vildersit u përshëndet nga nacionalistja e famshme franceze Marin Le Pen.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share