Tërmet i fortë godet Tajvanin

Një tërmet 6.2 shkallësh të Rihterit ka goditur bregdetin lindor të Tajvanit, që është pasuar me tërmete me intensitet më të ulët, thanë autoritetet e këtij ishulli.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 30 kilometra nga brigjet e Hualienit, me një thellësi prej gjashtë kilometrash.Shërbimi Gjeologjik amerikan raportoi se tërmeti ishte 5.9 ballë dhe me një thellësi prej 12 kilometrash.

Ende nuk ka raportime për dëme apo viktima.

“Tërmeti është ndierë në mbarë Tajvanin, pasi thellësia e tij ishte e vogël”, tha Chen Kuo-chang, kreu i qendrës sizmologjike të Tajvanit.

“Janë regjistruar edhe tetë tërmete pasuese dhe ne presim që të ketë edhe më shumë dridhje të tokës në ditët në vijim”, shtoi ai.

Autoritetet që operojnë me hekurudhat dhe sistemin e metrosë, thanë se trenat do të ngadalësojnë shpejtësinë, por shërbimet nuk do të ndërpriten.

Tajvani shpesh goditet nga tërmetet, pasi ky ishull gjendet pranë vendit ku takohen dy pllaka tektonike.

Disa tërmete prej 6 ballësh apo më shumë mund të jenë vdekjeprurëse, edhe pse shumë varet se ku është epiqendra dhe çfarë thellësie ka tërmeti.

Në shtator, bregu lindor i Tajvanit u godit nga një tërmet prej 6.9 ballësh, duke lënë të vdekur një person dhe duke rrëzuar disa ndërtesa. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share