Tërhiqet propozimi për Anëtarë të Këshillit të Prokurorëve – BDI: Të dy propozimet e VLEN-it, kandidatë partiak!

Tërhiqet propozimi për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publik që Komisioni për Çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve më 5 nëntor e dorëzoi në Kuvend – thuhet në shkresën që Kryeparlamentari Afrim Gashi ua dërgoi deputetëve.

Ky propozim është vënë në rend dite si pika e 8 e seancës parlamentare të caktuar më 12 nëntor.

“Ju njoftoj se në formën elektronike është dorëzuar shkresa e Kryetarit të Komisionit për Çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve me të cilën njofton se tërhiqet propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publik” – njofton Gashi.

Paraprakisht, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Gjorgjija Sajkoski – Kryetar i Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, njoftoi Kryeparlamentarin Gashi se e tërheq propozimin.

BDI reagoi se për anëtar të Këshillit të Prokurorëve është propozuar Ardijan Demiri, anëtar i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, pjesë e koalicionit VLEN dhe u bëri thirrje deputetëve që të mos pranojnë, sic thonë, partizimin e Këshillit të Prokurorëve.

Si dëshmi për për afërsinë e Ardijan Demirit dhe Izet Mexhitit, BDI-ja mediave u ka dërguar edhe fotografi të tyre të përbashkëta.

Integristët njoftojnë se kanë alarmuar deputetët, shoqërinë civile, mediat dhe komunitetin ndërkombëtar, sic thonë, për mendësinë e drejtuesve të VLEN që të partizojnë gjyqësorin dhe prokurorinë me eksponent partiak.

BDI reagim

“Të gjitha paraqitjet publike të Demirit e bëjnë të pa denjë për të bartur një funksion kaq të rëndësishëm. Ndërsa kandidati tjetër, gjithashtu anëtar dhe përkrahës i Vredi, Vedat Salihi, nuk i plotëson kushtet e përvojës së punës sipas ligjit dhe ka dorëzuar dokumente shtesë pas skadimit të konkursit. Vredi-n nuk e intereson Europa, as sundimi ligjit, as reforma, por vetëm partizimi i gjyqësorit dhe institucioneve për t’ju shërbyer apetiteve të tyre korruptive. “Shteti i kapur” nuk duhet të përsëritët asnjëherë dhe ftojmë Bashkimin Europian që të reagojë ndaj qeverisë pa legjitimitet etnik dhe kuvendit për këto veprime na largojnë nga Europa dhe vlerat europiane.”

Disa media njoftuan se dy anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorëve kishin marrë “dritë jeshile” nga komisionet parlamentare dhe mbetet që deputetët ta konfirmojnë zgjedhjene e tyre.

Filtrat e komisioneve, sic thuhet, i kishin kaluar avokati nga Struga Ardijan Demiri dhe hetuesi nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vedat Salihi.

Sipas Ligjit për Prokurorë Publik, për anëtar të Këshillit të Prokurorëve zgjidhen profesorë universitarë të juridikut, avokatë, ish-gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, gjykatës ndërkombëtar dhe juristë tjerë të shquar.

Kuvendi para dy muajve publikoi shpalljen për anëtarë që zgjidhen nga Këshilli për Prokurorë Publik, nga radhët e bashkësive etnike joshumicë. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share