Tërhiqet avokati kryesor i Hashim Thaçit

Shkak, vështirësitë financiare të ish-Presidentit

Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mund të mbetet pa avokatin e tij kryesor Gregory Kehoe në përballjen e tij ligjore në Gjykatën Speciale të Hagës.

Shkak për këtë duket se është bërë pamundësia e ish-komandantit të UÇK-së për të përmbushur pagesën. Kjo konfirmohet në një deklaratë që lëshuan nga Dhomat e Specializuara sipas të cilës avokatët e tij deklarojnë tërheqjen nga procesi në rast të mospërmbushjes së detyrimeve.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Associates Greenbuerg Legal” dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçi i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u është përmbushur detyrimi”.

Në bazë të ligjit, çdo i akuzuar nga Gjykata Speciale ka të drejtën e mbështetjes financiare nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e tij.

Pas deklaratës së Dhomave të Specializuara reagoi Ministria e Drejtësisë së Kosovës që thotë se i ka përmbushur detyrimet e saj duke paguar 3.5 milionë Euro për mbrojtjen e Thaçit, por sipas saj ish-Presidenti ka marrë edhe avokat shtesë që duhet t’i paguajë vetë.

“Ministria e Drejtësisë ka marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatet tjerë potencialë, qoftë edhe privatë, të cilët angazhohen nga z.Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrëveshje dhe nuk mban përgjegjësi për realizmin e pagesave”.

Gregory Kehoe u caktua avokat mbrojtës i Hashim Thaçit në 25 Maj të 2021. Në rast të largimit të tij, ish-Presidenti i Kosovës mund të marrë një avokat tjetër ose t’i caktohet një nga Gjykata në rast të pamundësisë financiare.

Hashim Thaçi po qëndron në burgun e Hagës prej Nëntorit të 2020 së bashku me ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që ata i kanë mohuar me forcë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share