Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, këtyë të enjte në seancën plenare të Kuvendit ka kërkuar nga Qeveria, presidentja dhe institucionet e vendit që të marrin një vendim lidhur me gjendjen në Veri.
Sipas Haradinaj vendimi më i mirë në këtë situatë është shtyerja e zgjedhjeve.
“Ne duhet të kemi guxim politik t’i trajtojme tëmat në të vërtetën e vet, së paku të mos fshihemi nga temat që i ka vendi përpara. Nuk besoj që përfiton Kosova nëse ne e heshtim gjendjen në veri të vendit. E dini se zgjedhjet e shpallura herën e parë nuk arritëm t’i mbajmë dhe po ashtu e dini se procesi për të mbajtur zgjedhje tash në veri nuk është i qëndrueshëm. Mund të shtrohet pyetja pse jemi në këtë gjendje, kuptohet e dimë mirë agjendën e Serbisë dhe Listës Serbe kushtëzimet e tyre, por edhe presionet që i ushtrojnë mbi qytetarët e vendit në veri. Por a e dimë ne si Kosovë dhe a e din qeveria jonë rrugën deri te suksesi, mesa e shoh unë dhe me analizën dhe informatat që i kam gjendja e sotme nuk na dërgon te suksesi, procesi i tashëm i zgjedhjeve nuk na dërgon te suksesi.
Mosshqyrtimi i kësaj gjendje me kujdes, mostrajtimi i kësaj gjendje me seriozitet dhe me aleatët tonë mund t’i thellojë pasojat për Kosovën në Veri. E cilat kishin me qenë këto pasoja, nëse Kosova qëndron në vendimin e vet për mbajtjen e zgjedhjeve dhe vjen dita e zgjedhjeve dhe qytetarët e veriut do të shkojnë të votojnë në stacione policore. Duhet t’i bëjmë analizë kësaj situate, a është në interesin tonë të arrijmë te kjo ditë, çka do të fitojmë në këtë ditë. Nuk besoj se duhet ta heshtim këtë gjendje, më mirë me pranuar një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër, sesa një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve.
Nuk e shoh cili është interesi ynë me vazhdu me mbajt Policinë e Kosovës në situatën çfarë janë atje dhe me insistu ose me harru që kemi përgjegjësi për situatën atje. Unë i bëj thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në Veri dhe ta marrin një vendim në lidhje me këtë situatë. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë që do të ishte shtyrja e zgjedhjeve”, tha Haradinaj.