MINISTRI I JASHTEM RUS FAJESOI PERENDIMIN DHE SHBA PER NJE KRIZE TE THELLE NE OKB-SE
Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i drejtuar nga ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, u shoqërua me përçarje dhe shkëmbime akuzash lidhur me sulmin e Moskës ndaj Ukrainës. Lavron akuzoi SHBA se ka krijuar një krizë të thellë brenda OKB-së ndërsa sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres kërkoi bashkëpunim më të mirë për të forcuar institucionet shumëpalëshe.
Aleatët ndërkombëtarë të Ukrainës sulmuan Rusinë gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të kryesuar nga Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili u fokusua në mbrojtjen e parimeve të kartës së OKB-së .
Rusia denoncoi rendin botëror unipolar që hyri në fuqi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Para takimit, Lavrov deklaroi se sistemi i OKB-së po përballej me një krizë të thellë dhe akuzoi vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, si përgjegjëse.
“Ne kemi arritur një prag të rrezikshëm, ndoshta edhe më të rrezikshëm. Situata është përkeqësuar nga humbja dhe besimi në multilateralizmin, pasi agresioni financiar dhe ekonomik i Perëndimit po shkatërron përfitimet e globalizimit, kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po braktisin diplomacinë dhe kërkojnë të qartësohen marrëdhëniet në fushën e betejës. E gjithë kjo bëhet në sallat e Kombeve të Bashkuara, e cila u krijua për të parandaluar tmerret e luftës” – tha Lavrov.
Një takim që u karakterizua me akuza të ndërsjelljta lidhur me sulmin e Moskës ndaj Ukrainës, ambasadori i Bashkimit Evropian Olaf Skoog, u shpreh se është cinike që një vend që ka shkaktuar kaq kriza dhe humbje jetësh të drejtojë një takim të tillë. “Të gjithë e dimë se ndërsa Rusia po shkatërron, ne po ndërtojmë. Ndërsa ata e shkelin, ne e mbrojmë. Karta e OKB-së, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Penale Ndërkombëtar ngado që shikoni, Rusia është duke bërë shkelje”, shtoi ai.
Duke iu kthyer temës së debatit, shefi i OKB-së tha se duhet të ketë bashkëpunim më të mirë për të forcuar institucionet shumëpalëshe.
“Tensionet midis fuqive të mëdha janë në një kulm historik. Po ashtu edhe rreziqet e konfliktit, nëpërmjet fatkeqësive apo llogaritjeve të gabuara. Ne përballemi me kriza të paprecedentë dhe të ndërlidhura. Por sistemi shumëpalësh është nën tendosje më të madhe që nga krijimi i Kombeve të Bashkuara. Pushtimi i Ukrainës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare, po shkakton vuajtje dhe shkatërrime masive për vendin dhe popullin e tij, dhe po shton dislokimin ekonomik global të shkaktuar nga pandemia COVID-19” – tha Guterres.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Sekretari i Përgjithshëm Guterres u takuan gjithashtu edhe për diskutime private që zgjatën gati një orë e gjysmë. Takimi i tyre vjen vetëm disa javë përpara afatit të 18 majit që Rusia i ka caktuar OKB-së për të përmbushur kushtet e saj për zgjatjen e marrëveshjes për eksportet e drithit ukrainas dhe plehrave kimikë rusë përmes Detit të Zi.
GAZETARE: LIVIA KALLFA