Temperatura të pazakonta për tetor, plazhet plot në Spanjë dhe Francë

Është fund tetori, por turistët në rivierën franceze dhe në disa pjesë të Spanjës, shijojnë rrezet e diellit me rroba banje. Lokale e shezlongët janë plot dhe moti është i ngrohtë mjaftueshëm për t’u larë.

“Zakonisht është më freksët dhe në këtë periudhë bie shumë shi, prandaj moti kaq i ngrohtë është i pazakontë. Unë zakonisht notoj edhe në dimër kur temperatura e ujit është 11 gradë celsius, por tani temperaturat janë 20 ose 21 gradë kështu mund të notojmë pak më gjatë”, thotë Rozemary, një nga plazhistet e shumta në bregdetin e Nicës.

Franca ka regjistruar temperatura 5 ose 6 gradë mbi normalen gjatë 10 ditëve të fundit, dhe Nica pritet të shënojë një rekord ditor prej 24 gradë celsius.

Edhe Spanja po përjeton mot më të ngrohtë se zakonisht me temperaturat që pritet të tejkalojnë 30 gradët në qytete si Kordoba apo Sevillja, ndërsa agjencia meteorologjike kombëtare parashikon se ky mund të jetë tetori më i nxehtë që kur kanë filluar të regjistrohen të dhënat.

Në qytetin bregdetar të San Sebastian në veri, tradicionalisht i freskët e me reshje, termometri shënoi gjithashtu 30 gradë me qytetarët që mbushën plazhet.

“Nuk janë temperatura normale, veçanërisht në këto data, por ne jemi mirënjohës për motin, kështu kemi edhe më shumë punë”, shton Carlos, një kamerier në San Sebastian.

Miliona njerëzit që janë në ankth për rritjen e çmimit të energjisë, mund të mos i ndezin ende ngrohëset, dhe kjo është diçka e mirë, por gjithsesi ndryshimi i modeleve të motit është arsye për shqetësim.

Valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe intensive, e po zgjasin më shumë për shkak të ndryshimeve klimatike. Temperaturat globale janë rritur me 1.1 gradë celsius që prej fillimit të epokës industriale dhe duket se trendi do të vazhdojë nëse nuk merren masa për reduktimin e emetimeve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share