Tel-Avivi goditet me drone, Izraeli vazhdon me bombardime në Gazën qendrore

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara tha se vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Gjetjet e gjyqtarëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e njohur si Gjykata Botërore, nuk janë detyruese, por kanë peshë sipas ligjit ndërkombëtar.

“Ngulimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, dhe regjimi i lidhur me to, janë krijuar dhe po mbahen në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha Nawaf Salam, President i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Vendimi i Gjykatës së Kombeve të Bashkuara rrjedh nga një kërkesë e vitit 2022 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që i paraprin konfliktit aktual Izrael-Hamas. Asambleja e OKB-së i kërkoi gjykatës të vlerësonte pasojat ligjore të “pushtimit të zgjatur, vendbanimeve dhe aneksimit” të territoreve palestineze, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe politikat e lidhura të qeverisë izraelite.

Ndërkohë Izraeli ka marrë një tjetër goditje. Një dron me rreze të gjatë i prodhuar nga Irani goditi qendrën e Tel Avivit në një sulm të marrë përsipër nga milicia Houthi me bazë në Jemen. Droni vrau një person dhe plagosi katër të tjerë.

“Forcat e armatosura të Houthi, kreu një operacion cilësor ushtarak që synoi një nga objektivat e rëndësishëm në zonën e pushtuar Jaffa, nga Izraeli. Operacioni u krye duke përdorur një avion të ri dron të quajtur ‘Jaffa’, i aftë për të anashkaluar sistemet e mbrojtjes ajrore të armikut dhe i pazbuluar nga radarët. Operacioni arriti me sukses objektivat e tij”, tha Yahya Sarea, zëdhënës ushtarak i Houthi.

Sakaq, forcat izraelite bombarduan pjesë të Gazës qendrore, duke vrarë të paktën tetë palestinezë në zonën e kampit Al-Nuseirat, ndërsa luftimet me militantët e Hamasit rifilluan në Rafahun jugor, ku zyrtarët shëndetësorë thanë se pesë banorë të tjerë kanë mbetur të vdekur.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share