SHAQIRI: LIBRAT ONLINE NUK ZËVENDËSOJNË TEKSTET E SHTYPURA
Nxënësit e klasave të katërta, të pesta dhe të gjashta në Maqedoninë e Veriut, nga sot do të kenë tekstet e para digjitale interaktive. Këtë e bëri të ditur Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiti, i cili njoftoi se këto tekste ofrojnë një përvojë mësimore të pasur me elemente multimediale si video, foto, ilustrime, kuize, dhe përmbajtje të tjera të ngjashme.
“Ato janë të disponueshme në një platformë të veçantë online – nastava.mk dhe zyrtarisht mund të përdoren, jo si zëvendësim i teksteve të shtypura, por si një opsion shtesë që mund të lehtësojë procesin e përvetësimit të njohurive. Ato janë të disponueshme në çdo kohë dhe në çdo vend ku ka qasje në internet dhe secili nxënës do të mund të vendosë vetë nëse do të përdorë tekstin digjital apo të printuar që ka marrë në shkollë”, tha Jeton Shaqiri.
Aplikimi i këtyre teksteve, sipas ministrit Shaqiri, ka përfitime të dukshme për mësuesit dhe nxënësit. Ai ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë, sepse në të ardhmen edhe tekste të tjera dhe kurrikulat do të përdoren në format digjitale. Në lidhje me shqetësimet e mundshme, ministri ka garantuar se nuk do të ketë digjitalizim të teksteve shkollore për klasat e ulëta, duke respektuar kështu zhvillimin natyral të aftësive lexuese të fëmijëve. Ministri po ashtu ka njoftuar se në fillim të janarit do të paraqesë propozimin për ndryshime në ligjin për tekstet shkollore, për të adresuar problemet me tekstet e historisë dhe shoqërisë./KlanMacedonia