Dy të tretat e 2.3 milion banorëve të Gazës janë të pastrehë, ndërsa përballen me uri ekstreme
Pasi u zhvendos nga shtëpia e saj në Gazën veriore, Amena Daraëesha filloi të mblidhte dru, të përgatiste ushqim dhe të gatuante me gra të tjera në kampin e improvizuar në Deir al-Balah për të mbijetuar.
Ajo mbledh dru zjarri dhe gatuan dhe lejon të tjerët të vijnë për të gatuar dhe të konsumojnë një vakt së bashku me fëmijët në kushte katastrofike pas bombardimeve izraelite.
“Bëj bukën, ndez zjarrin edhe kur ham një vakt ose përballemi me shiun ose me bombardimet e raketat që edhe në këtë zonë ku jemi zhvendosur e kanë shkatërruar. Përgatisim ushqim për fëmijët të cilët kanë ditë që mund të mos kenë ngrënë.”
Gra të tjera nga kampi iu bashkuan Amena-s duke gatuar për njerëzit dhe fëmijët.
“Ditën e parë të luftës shkuam në shkollat e kampit Xhabalia. Pas kësaj ata na thanë se kampi Jabalia ishte në shënjestër, kështu që ne ikëm në strehimoret në Kahn Junis (Khan Younis) dhe kjo është situata jonë. Ne donim të piqnim bukë sepse nuk kishte kur shkonim në furra buke. Ne protestuam, kështu që na dhanë pak miell, por edhe ai mbaroi. Çdo ditë shkojmë nga një vend në tjetrin, duke kërkuar një tavë për të gatuar për fëmijët tanë. Kjo është jeta jonë, një jetë me mundime, pa ujë, pa energji elektrike.”
Te zhvendosurit shprehen se shpresat për të patur një jetë të mirë tanimë janë shuar.
“Kjo është çadra në të cilën po jetoj. Situata është kjo që shikoni, flem në tokë së bashku me fëmijët, ja pikërisht këtu në rërë. Frikë kemi nga shiu se mund të nisin përmbytjet sërish. Kjo tendë që na kanë dhënë nuk është e përshtatshme për të jetuar. Nuk mund të kujdesem për fëmijët e mi në shi. Si mund t’i mbroj në rrethanat në të cilat po jetojmë?”
Kombet e Bashkuara thonë se rreth dy të tretat e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë të pastrehë, shumica e të cilëve janë strehuar në qytete në jug, që kur Izraeli filloi hakmarrjen kundër Hamasit për një tërbim vdekjeprurës në qytetet jugore të Izraelit.
Mbi 1.5 milion njerëz janë zhvendosur brenda Gazës, shumica e të cilëve ka shkuar në jug, ku ushqimi, uji dhe energjia elektrike janë gjithnjë e më të pakta. Nuk është e qartë se ku tjetër mund të shkojnë, pasi Egjipti refuzon të lejojë një fluks masiv në territorin e tij.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka thënë se vetëm 10 % e furnizimeve të nevojshme ushqimore kanë hyrë në Gaza dhe njerëzit në enklavën e bombarduar përballen me uri ekstreme. Më shumë se 11,000 njerëz janë konfirmuar të vrarë, më shumë se 40% e tyre fëmijë dhe mijëra të tjerë të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të bombarduara.
Klan News