Të shtëna me armë në mesnatë, lëshohet urdhër-arrest ndaj Feros

Këngëtari Feronit Shabani, i njohur si Fero, është vënë në kërkim policor dhe po hetohet për veprën penale të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”.

Këngëtari nga Gjilani dyshohet se në orët e vona të së enjtes ka shtënë me armë zjarri disa herë në një lagje të qytetit të Gjilanit.

Sipas Policisë së Kosovës, nga të shtënat me armë nuk ka pësuar askush lëndime trupore.

Fero nuk është dorëzuar në stacionin policor, por ndaj tij është lëshuar një urdhër për arrestim.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës përkitazi me këtë rast:

“Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm

Gjilan, 29 dhjetor 2022

Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacion Policor Gjilan me datën 29.12.2022 në orët e mbrëmjes ka pranuar në informacion se i dyshuari (1994) shtetas i Kosovës me veturën e tij ka shkuar në një lagje të qytetit të Gjilanit dhe po sa ka dalë nga vetura ka shtënë një herë me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga kjo e shtënë nuk ka pësuar lëndime trupore askush.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të policisë të cilat kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

I dyshuari ende nuk është takuar dhe është në kërkim nga ana e Policisë së Kosovës.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që të iniciohet rast për veprën penale ,,Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ ndërsa rrethanat se si ka ndodhur rasti janë duke u hetuar nga ana e Njësisë së Hetimeve të Stacionit Policor Gjilan”. /EkonomiaOnline

Lexo gjithashtu
Total
0
Share