Të rinjtë duhet të shihen si liderë sot, jo si liderë nesër

Përfaqësues special i kryesuesit të OSBE-së për të rinjtë, Memet Zhaku e hapi panel diskutimin e parë të Forumit të Prespës për Dialog me titull: “Pjesëmarrja e të rinjve në tranzicionin energjetik drejt një ekonomie të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë drejt arritjes së një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë”.

Zhaku theksoi se të rinjtë kanë një pozicion unik në formësimin e botës në të cilën do të donim të jetonim. “Të rinjtë nuk duhet të shihen si liderë të së nesërmes, por si lider të së sotmes. Ne të rinjtë kemi një pozicion unik për të formësuar botën ku jetojmë, duke promovuar me zërin tonë vlerat e paqes, sigurisë, drejtësisë dhe barazisë. Organizata jonë ka një fokus dhe qasje të fuqishme ndaj rolit dhe rëndësisë së të rinjve. Ne si Kryesues, po bëjmë çmos që në agjendën tonë të përfshijmë dhe integrojmë perspektivat rinore në të gjitha nivelet”, tha Zhaku.

Zëvendësministrja për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, në fjalimin e saj theksoi tranzicionin e gjelbër që po ndodh sot dhe ndryshimet.

“Ne duhet t’i mbështesim të rinjtë, t’i përfshijmë ata në proceset e gjelbra përmes mbështetjes së ideve inovative dhe duke krijuar zgjidhje të qëndrueshme, sepse ata janë shtytës të ndryshimit. Ne duhet t’u japim atyre një shans për t’u përfshirë në industritë e gjelbra, proceset hulumtuese dhe të ofrojmë një platformë për bashkëpunim rajonal dhe shkëmbim të praktikave më të mira, aftësive dhe ndryshimeve të qëndrueshme për një tranzicion të bashkuar drejt energjisë së gjelbër dhe një ekonomie të gjelbër në rrugën drejt BE-së. Sot të gjithë së bashku po krijojmë të ardhmen tonë të gjelbër”, tha Oxhaklieska.

Për sfidat e të rinjve sot dhe kyçja e tyre si bartës të vendimeve në nivel lokal dhe global në panel kontribuuan edhe Larisa Lojiq, Naser Bislimi, Melani Jaindëll, Vlladimir Kostovski dhe moderatori Bojan Petrovski.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share