Të paktën 19 të vdekur nga aksidenti i autobusit në Bangladesh

Të paktën 19 persona janë vrarë dhe deri në 25 të tjerë janë plagosur pasi një autobus ka thyer gardhin e autostradës dhe është zhytur në një kanal buzë rrugës në Bangladesh, përcjell Klan Maqedoni.

Autoritetet policore dyshojnë se shoferi ka humbur kontrollin në orën 8 të mëngjesi dhe ka goditur parmakët e një autostrade të ndërtuar së fundmi, duke u rrëzuar nëntë metra në hendek, me më shumë se 40 pasagjerë brenda.

“Numri i të vdekurve është rritur në 19. Të paktën 12 persona janë plagosur rëndë. Ata janë dërguar në spitalin e Kolegjit Mjekësor të Dhakës në kryeqytet”, tha shefi i policisë lokale Masud Alam për agjencinë e lajmeve AFP.

Numri i të vdekurve mund të rritet më tej pasi disa nga pasagjerët e plagosur janë në gjendje kritike, tha Anowar Hossain, zyrtar i policisë së Shibchar, ku ndodhi përplasja.

Qyteti është 80 km nga kryeqyteti Dhaka.

Aksidentet rrugore, siç përcjell KlanM, janë të shpeshta në Bangladesh për shkak të automjeteve dhe rrugëve të vjetra dhe mungesës së mirëmbajtjes. Aksidentet rrugore fatale kanë qenë në rritje, pavarësisht se qeveria vendase thotë se do t’i reduktojë ato me 50 për qind deri në vitin 2030.

Në korrik të vitit të kaluar, rreth 400 njerëz u vranë dhe gati dyfishi i këtij numri u plagosën në më shumë se 300 aksidente rrugore në dy javët rreth festave të Kurban Bajramit në Bangladesh.

Sipas të dhënave numër rekord prej 9,951 njerëzve janë vrarë në aksidente rrugore në Bangladesh vetëm gjatë vitit të kaluar./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share