Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari sot priti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja me të cilin bashkëbiseduan mbi momentumin politik në të cilën ndodhet rajoni, rëndësinë e ruajtjes së orientimit properëndimor të vendeve tona dhe përgjegjësitë e së ardhmes evropiane.
Në takim po ashtu u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë në eliminimin e çdo pengese burokratike në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe të gjitha sferat tjera të jetës për mirëqenien e qytetarëve tanë.
Po ashtu u bisedua mbi zhvillimin e komunave në të dyja vendet përmes këmbimit ekonomik, rritjen e kapitalit njerëzor dhe vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet komunave tona, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit për zhvillimin e tyre.