Taravari: Presidenti të zgjidhet në kuvend – Ndryshimet kushtetuese domosdoshmëri!

KONVENTA E VLEN-it

Ndryshimet kushtetuese, heqja e përkufizimin 20% që i referohet gjuhës shqipe në Kushtetutë, si dhe ndryshimi i modelit të zgjedhjes së presidentit të shtetit në të ardhmen janë tre shtyllat kryesore në të cilat do të zhvillohet fushata e kandidatit shqiptar të propozuar nga opozita shqiptare.

Kështu tha mbrëmë, kandidati për president, Arben Taravari, gjatë promovimit të konventës së tij, e cila mban sloganin “Populli i pari”.

Ai tha se, ka ardhur koha që, presidenti të jetë i njerëzve dhe për njerëzit, pa harruar të përmend shqetësimin e ikjes së të rinjve, për çka tha se, shteti duhet të punojë më shumë, për t’i mbajtur ata këtu.

“Presidenti është mirë të votohet në Kuvend dhe kështu më në fund do të kemi mundësi reale që të kemi një president shqiptar. Futja e pakicës bullgare dhe pakicave të tjera në Kushtetutë është domosdoshmëri dhe besoj se kjo do të realizohet shumë shpejt pasi të formohet qeveria e ardhshme, ku do të jetë pjesë VLEN-i. Në fund, por jo nga rëndësia më e vogël, është edhe liria e medias dhe shtypit që është një emergjencë shtetërore por edhe shoqërore” – tha Taravari.

Në këtë konventë, si rrallë herë në skenën politike shqiptare në vend, mori fjalën edhe bashkëshortja e Taravarit, Nora Taravari, duke thënë se gratë e politikanëve në vend zakonisht mbesin nën hije.

“Është zakonisht kjo si na prezantojnë neve grave shqiptare, madje në shumë raste edhe emrin nuk na e dinë, na thërrasin me atë të burrit. Mendoj se jam gruaja e parë në historinë e fushatave politike presidenciale, e cila e merr këtë skenë dhe flet për burrin e saj. Ne gratë, si zakonisht ngelemi në hije” – tha Nora Taravari.

Partitë politike shqiptare në këto zgjedhje presidenciale do të dalin me dy kandidatë shqiptarë. Përpos Taravarit, që mbështetet nga blloku opozitar shqiptar VLEN, në garën për president të shtetit është kandiduar edhe Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share