Taravari: Partitë shqiptare me LSDM-në do ta mobilizojnë skajshmërisht VMRO-DPMNE-në

“JAVËN E ARDHSHME ME KRYESINË E NGUSHTË DO TË DISKUTOHET POZICIONIMI I ASH-së”

Takimi i djeshëm Taravari – Ahmeti nuk dha përgjigje të qarta lidhur me pozicionimin e ASH-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Sipas dy bashkëbiseduesve, të gjitha opsionet mbeten të hapura.

Kreu i ASH-së, Arben Taravari, mbrëmë në Klan Debat, u shpreh i prerë se fjalën e fundit për këtë do ta kenë organet partiake, kurse gjatë ditës do ta njoftojë partinë rreth takimit 45 minutësh me Ahmetin.

Taravari në Klan Debat tha se nuk është mirë për ASH-në por edhe për LSDM-në që të ketë koalicionime parazgjedhore midis partive shqiptare dhe maqedonase, pasi sipas tij, kjo mund të mobilizojë skajshmërisht VMRO-DPMNE-në. Këtë Taravari ia ka thënë edhe Kryeministrit Kovaçevski.

“Në atë moment kauza e VMRO-së do të jetë para votuesit maqedonas – keni dy lista, listën shqiptare që nënkupton LSDM-në dhe listën pastër maqedonase dhe kjo mendoj se vetëm mund të trigerojë që të rriten votat e VMRO-DPMNE-së dhe t`i jep një kauzë shtesë me të cilën do të animojë edhe qytetarin edhe anëtarësinë e vet dhe ta polarizojë edhe më shumë fushatën parazgjedhore” – tha Taravari.

Sipas Taravarit, në cilën anë të pozicionohet ASH-ja në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, probabiliteti është që ajo anë të fitojë, por sipas tij, për momentin BDI-ja nuk mund të mposhtet nëse ASH-ja del e vetme në zgjedhje.

Për javën e ardhshme, Taravari tha se do të thërrasë kryesinë e ngushtë partiake, ken ë një pikë të vetme të rendit të ditës do të diskutohet kjo cështje.

“Anëtarësia e partisë kryesisht është që të mos shkohet me BDI-në. Më shumë janë ose vet ose të ndërmirren hapa që të sjellet ndryshimi. Por, duhet të bëhet një analizë e mirë, të nxirren anketat që janë bërë para Kuvendit të partisë, të debatohet, ka argumente e argumente plot. Cdoherë si ASH kemi sakrifikuar nga vetja – edhe hyrja në Qeveri është sakrificë” – tha Taravari.

Me hyrjen në koalicionin qeveritar ASH-ja humbi imazhin e partisë opozitare dhe në periudhën e ardhshme duhet të merr vendimin, nëse në zgjedhje do të shkojë e vetme, do të koalicionojë me BDI-në ose do ta kthejë imazhin opozitar duke u kyçur në bllokun opozitar shqiptar me Lëvizjen Demokratike, Alternativën dhe Besën.

Tre partitë të bashkuar nën emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim disa herë e kanë ftuar ASH-në që t`i bashkohet frontit të tyre opozitar. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share