Dorëheqje të tij ose të ministrit Azir Aliu, paralajmëroi Arben Taravari gjatë ditës së sotme, nëse vërtetohej se ministri ka punësuar dhëndrin e tij si shef kabineti. Por, sipas tij, dorëheqja vjen vetëm nëse bëhet fjalë për punësimin e burrit të motrës ose vajzës së Aliut, informon KlanM.
“ Te ne dhëndër e di si quhet në qoftë se dikush është dhëndri i brezit të katërt ose të pestë… Në qoftë se është burri i motrës ose i vajzës së Azirit, ose unë ose Aziri japim dorëheqje”, deklaroi sot kreu i ASH-së, Arben Taravari.
Për të njejtën çështje u pyet edhe kryeministri Kovaçevski, i cili u shpreh se nuk ishte në dijeni të rastit, por se do ta verifikojë të njejtin.
“Pyetjen duhet t’ia drejtoni atij që e ka ëmëruar si shef kabineti. Në qoftë se ka ndonjë shkelje të procedures gjatë punësimit të një shefi kabineti apo dikujt tjetër, atëherë ajo duhet të paraqitet, pasi ju më tregoni një informatë që unë do ta kontrolloj dhe do të shoh se cili ministër ka angazhuar si shef kabineti”, tha kryeministri Kovaçevski.
Ditë më parë në një podcast të organizuar nga Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu, ky i fundit mes tjerash përmendi se Shefin e kabinetit në ministri e ka dhëndër. I pyetur për këtë, Aliu e pranoi se e ka dhëndër shefin e kabinetit, por se sipas tij, nuk ka pasur elemente për nepotizëm./KlanMacedonia