Taravari në pushtetin lokal apo qendror?! E ardhmja e Gostivarit përplas ASH-në e Selës dhe të Taravarit!

Deklarata e një ditë më parë e Arben Taravarit  rreth vendimit të tij nëse do të qëndrojë apo jo në krye të Komunës së Gostivarit apo do të pranoj postin si ministër i Shëndetësisë, ka nxitur reagimin e Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës.

Sipas tyre vendimi është marrë, por Taravari thjesht po luan rolin e moralistit, duke thënë se shqetësimi I tij është që qytetarët të mos dalin dy herë të votojnë për zghjedhje lokale brenda një viti e gjysmë. Sipas tyre, VMRO-ja ka premtuar ndryshime ligjore që do të mundësojnë që në vend të  të zgjedhjeve të parakohshme, të ketë ushtrues detyre deri në zgjedhjet e rregullta lokale.

“E vërteta e moralistëve të rrejshëm është se ata do të tërhiqen nga të qenurit kryetar komune pasi VMRO-DPMNE u ka premtuar ndryshime ligjore. Me çka, për pak ditë, do të ndryshohet ligji dhe në vend të zgjedhjeve të parakohshme në nivel komunal, do të kemi ushtrues detyre deri në zgjedhjet e rregullta lokale. Deklarimet ndryshe janë veç për PR dhe mashtrim të bashkëpunëtorëve. Do të shohim edhe një herë që profesorë si Namik Durmishi, zv.kryetar komune, që edhe i takon të drejtojë Komunën e Gostivarit do t’i kërkohet të tërhiqet pasi nuk është i përshtatshëm për VMRO-në. Jo be shoç, nuk është e vërtetë/fantashkencë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Një ditë më parë Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari duke u përgjigjur në pyetjen se kur do të marrë një vendim nëse do të qëndrojë në pushtetin lokal apo do të kalojë në atë qëndror tha se deri të hënën do të sqarohet kjo dilemë.

Për vendimin për anëtarë i Qeverisë, për ministër i Shëndetësisë ende nuk kam vendosur. Pres që të shohim si do të rrjedhin punët, posaçërisht për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje, ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale, besoj se deri të hënën definitivisht do ta kem vendimin se a do të shkoj për ministër të Shëndetësisë apo vazhdoj në Komunën e Gositvarit deri në përfundim të mandatit”, tha Arben Taravari.

Sipas Kodit Zgjedhor, posti i deputetit apo ministrit është i papajtueshëm me pozitën e kryetarit dhe anëtarit të këshillit në komunë dhe qytetin e Shkupit.

Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, në rast të përfundimit të mandatit të kryetarit, parasheh shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në atë komunë.

Zgjedhjet e parakohshme për këshilltarë dhe kryetar komune nuk do të mbahen nëse zgjedhjet e rregullta janë më pak se gjashtë muaj, gjë që nuk ndodh tani pasi zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen në tetor 2025./tvklan.mk

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share