Taravari: Na pëlqen ideja e Pendarovskit që Maqedonia e Veriut të ketë një Kushtetutë të re

Në një deklaratë për emisionin Klan Direkt, kandidati për president nga opozita shqiptare VLEN, si dhe kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari ka bërë të ditur se programi i tij politik, i hartuar në tre gjuhë, do të publikohet së shpejti në webfaqen e tij zyrtare si kandidat për president. Programi përqendrohet në katër shtylla kryesore, me theksin e parë në Bashkimin Europian si rruga e vetme përpara për Maqedoninë e Veriut. Taravari thekson nevojën për ndryshime në preambulën e Kushtetutës për të përshpejtuar integrimin e vendit në BE.

Një tjetër pikë kyçe e programit është hapja e debatit për zgjedhjen e presidentit përmes Kuvendit, duke kërkuar një shumicë prej 61 votash dhe përfshirjen e etnisë së dytë, shqiptarëve, në vendimmarrje. Taravari gjithashtu mbështet idenë e një Kushtetute të re për Maqedoninë e Veriut, duke argumentuar se ndryshimet e mëparshme nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe se një debat i gjerë me përfshirjen e profesionistëve është i nevojshëm për të ardhmen kushtetuese të vendit.

“Programi është i gatshëm, në tre gjuhë dhe besoj që nesër ose pasnesër do të publikohet dhe në webfaqen që e kam për kandidat për president. Katër shtyllat e programit janë: e para Bashkimi Europian, padyshim që Maqedonia nuk ka rrugë tjetër, dhe kjo do të jetë poenta jonë kryesore për të marrë mbështetjen.
Shtylla e dytë janë ndryshimet Kushtetuese, ku për integrimin në BE është me patjetër të bëhet ndryshim në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Ky është edhe moment për të hapur debat mes etnive dhe profesionistëve për çështjen e zgjedhjes së presidentit të bëhet nëpërmjet Kuvendit. Duhet një shumicë prej 61 votash sepse kompetencat janë njëlloj si në Greqi, Kosovë, e Shqipëri, që të kërkohet Badenteri dhe që etnia e dytë që janë shqiptarët të jenë pjesë e vendimmarrjes.
Gjithashtu 20 për qidëshi është i domosdoshëm me hapjen e Kushtetutës. Por më pëlqen dhe ideja e zotit Pendarovski se Maqedonisë së Veriut i duhet një Kushtetutë e re. Dhe neve na pëqen ideja, edhe pse është ndryshuar disa herë Kushtetuta nuk është ajo që duhet prandaj duhet hapur një debat me përfshirjen e profesionistëve, a duhet që të formohet një Kushtetutë e re?”, tha Taravari. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share