MIGRIMI I TË RINJVE
Korrupsioni është arsyeja kryesore që rinia vendosin që të largohen nga vendi. Kështu deklaroi sot, kandidati i opozitës shqiptare për president, Arben Taravari, i cili sot mbajti edhe një debat në temën e migrimit.
Ai tha se, duhet të punohet më shumë në gjetjen e mënyrave për të ulur fluksin e migrimit dhe për të mbajtur rininë në vend. Sipas Taravarit, migrimi është një fenomen global i cili është e pamundur të ndalet tërësisht, megjithatë mund të bëhet më shumë që ai të ulet.
“Njëra prej arsyeve është mosbesueshmëria në institucionet në përgjithësi, e dyta është korrupsioni dhe krimi e treta është mosbesimi në Maqedoni, e katërta vendet e punës. Thjeshtë këto janë arsyet kryesore” – tha Arben Taravari, kandidat për president.
Ai më tej shtoi se, të gjitha etnitë në vend migrojnë, në bazë të statistikave që kanë, kryesisht migrojnë shqiptarët.
“Po 30% e popullatës veç më ka migruar prej vitit 2011 deri në vitin 2019, kurse vetëm vizat për Gjermani që janë marrë 2021-2022 është 85 mijë viza dhe këto janë vërtetë numra shqetësuese” – tha Taravari.
Në këtë debat, Taravari kishte ftuar të gjithë kandidatët për president, megjithatë asnjëri prej tyre nuk i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës. Pendarovski kishte njoftuar ditë më parë se, nuk mund të merr pjesë në aktivitete të tilla, pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore. /tvklan.mk/