TARAVARI VLERSON SE KOVAÇEVSKI ËSHTË NË HALL DHE MUND TË JAPË DORËHEQJE
Nënkryetari i Alenacës për Shqiptarët Arben Taravari kërkon formimin urgjent të një qeverie teknike, Taravari shkruan se qeveria Kovaçevski është në hall dhe ka probleme të mëdha, dhe se sipas tij nuk është çudi që ai të japë dorëheqjen.
“Nuk mjafton të fokusohemi vetëm te problemet. Zgjidhja konsiston në dy fjalë, qeveri teknike. Pa garë partiake, pasi nëse diçka na është bërë e qartë deri tani, është se gara të tilla manipulohen dhe nuk ka fitues, vetëm të mundur. Kapriçoja partiake të dalë nga dera dhe nga muret e kolltuqeve të qeverisë dhe të fillojë të funksionojë një kabinet që do të mbushë në vend të xhepave të vet, ata të qytetarëve”, shkroi Taravari.
Sipas tij, qeveria teknike do të duhet si prioritet për të dalë nga kriza e dilemave historike, të punojë në harmonizimin e kalendarit qeveritar me atë të BE-së dhe të ketë si anëtarë ekspertë të fushave të tyre pa lidhje politike.
“Si e tillë qeveria do të jepte shembull për të gjitha qeveritë e tjera, të ardhshme, duke punuar dhe duke mos pritur lëvdata e komplimente, por duke kryer me sukses detyrat e saj. Tani është koha që të dalin përpara të gjitha ato zonja dhe zotërinj që u dalluan në sallat e universiteteve vendase dhe ndërkombëtare, që e duan vendin dhe popullin e tyre. Tani është koha që të qeverisin ekspertët”, përfundon Taravari.
Në vlerësimin ku nevojitet ndërhyrje profesionale si pika të nxehta përmend korrupsionin, papunësinë, arsimin, shëndetësinë dhe administratën. Taravari vlerëson se jemi të vegjël për nga kuptimi gjeografik, por “gjigantë” për nga korrupsioni. /KlanMacedonia/