Taravari flet për përçarjet brenda VLEN-it, mohon daljen nga Qeveria!

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, mohoi lajmet për largimin e tij nga Qeveria dhe theksoi se nuk ka ndërmend të largohet. Ai pranoi se ka mosmarrëveshje në koalicionin VLEN dhe mungesë bashkëpunimi mes partive anëtare, por mohoi mundësinë e shkrirjes së tij në një parti të vetme.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari pasi nxorri në pah të gjitha mosarrëveshjet brenda koalicionit VLEN, sot ka deklaruar se megjithatë nuk ka menduar dhe as nuk e ka ndërmend të largohet nga Qeveria. I pyetur për situatën brenda koalicionit VLEN, Taravari tha se është e qartë që mungon kohezioni dhe bashkëpunimi i duhur mes partive anëtare. Sa i përket mundësisë së shkrirjes së këtij koalicioni në një parti të vetme, ai u shpreh se një gjë e tillë është e pamundur.

Ndryshe, sot edhe pse kishte paralajmëruar prezencën në një eveniment në Shkup, zv-kryeministri Izet Mexhiti dhe paraqitjen e tij para gazetarëve, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi i njëjti e anuloi prezencën në minutat e fundit.

Ndërkohë, Zv/kryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, që është kuadër i Taravarit, në një status në rrjetin social Facebook ka shkruar se BDI është strumbullari i stërkeqës që e ka kapluar shtetin dhe shqiptarët, duke lënë të kuptohet se nuk pajtohet me veprimet e liderit të tij, Taravari.

“BDI është strumbullari i stërkeqës që e ka kapluar shtetin dhe shqiptarët. Kjo kufomë politike i përket së kaluarës dhe nuk mund të jetë e ardhmja e shqiptarëve. Koha e saj ka kaluar – shqiptarët kanë kërkuar dhe kërkojnë një politikë me duar të pastra, që mbron interesat e tyre dhe jo pasurinë e një grushti politikanësh të korruptuar e të kriminalizuar”, ka shkruar zv/kryeministri Fetai.

Ndryshe, Taravari ka pranuar se ka kanale komunikimi me BDI-në, duke pretenduar se të njëjtën formë komunikimi me BDI-në e kanë edhe partitë tjera që janë pjesë e VLEN-it. Por një gjë të tillë më vonë përmes komunikatave të ndara e mohuan nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Alternativa dhe Besa e Bilall Kasamit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share