Edhe 5 pacientë të lënduar nga zjarri në Koçanë, që janë të shtruar nëpër spitalet në Shkup, sot do të lëshohen për mjekim shtëpiak, paralajmëroi Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Sipas tij, këto 5 pacientë janë pjesë e gjithsejt 21 pacientëve që janë për mjekim në Shkup.
“6 pacientë janë në Qendrën Klinike, 6 në Spitalin e Vjetër të Qytetit dhe 5 në “8 Shtatori”, kurse 4 janë në klinika private. Sot ka 5 çregjistrime të pacientëve që janë në situatë të përmirësuar dhe shkojnë për mjekim shtëpiak, pas cka do të mbeten 16” -tha Taravari.
Lidhur me pacientët që trajtohen jashtë vendit, Taravari tha se sot kthehen dy pacientë – njëri nga Lituania dhe tjetri nga Suedia.
Pas kthimit të tyre, sipas Taravarit, jashtë vendit trajtohen 89 pacientë, kurse të hënën do të kthehen edhe pesë të tjerë.
Lidhur me situatën shëndetësore të pacientëve jashtë vendit, Taravari thotë se 4 prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje kritike kurse tek dy sërish është përkeqësuar situata.