Talibanët urdhërojnë mbylljen e salloneve të bukurisë në Afganistan

Talibanët kanë urdhëruar mbylljen e salloneve të bukurisë për femrat në Afganistan.

Liritë e grave janë reduktuar në mënyrë të vazhdueshme që kur talibanët morën pushtetin në vitin 2021. Ata kanë ndaluar që vajzat të vazhdojnë shkollën, të frekuentojnë palestrën dhe të shkojnë në parqe dhe së fundmi i kanë ndaluar që të punojnë për Kombet e Bashkuara.

Talibanët gjithashtu kanë dekretuar që gratë duhet të vishen në një mënyrë që të zbulojnë vetëm sytë e tyre dhe duhet të shoqërohen nga një i afërm mashkull nëse ato udhëtojnë më shumë se 72 km.

Mbyllja e salloneve të bukurisë ishte pjesë e një game të gjerë masash të vendosura nga talibanët kur ata ishin në pushtet për herë të fundit midis viteve 1996 dhe 2001. Por ato u rihapën në vitet pas pushtimit të Afganistanit të udhëhequr nga SHBA në vitin 2001.

Pas këtij vendimi, një grua afgane tha për BBC-në se “talibanët po ua heqin grave të drejtave më themelore të njeriut”.

Sallonet e bukurisë mbetën të hapura edhe pasi talebanët rimorën pushtetin 2 vjet më parë pas tërheqjes së forcave amerikane. Por vitrinat e dyqaneve shpesh mbuloheshin dhe imazhet e grave jashtë salloneve lyeshin me spraj për të fshehur fytyrat e tyre./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share