Qëndrimi i qeverisë talebane shton dëshpërimin tek të rinjtë në vend
Vajzave dhe grave afgane do t’u ndalohet edhe gjatë vitit të ri shkollor të shkojnë në shkolla apo universitet. Qeveria talebane duket e vendosur në qëndrimin e saj e cila ka ngjallur reagime të forta dhe dëshpërim mes të rinjve në vend.
I dërguari i posaçëm i BE-së për Afganistanin, Tomas Niklasson, ka deklaruar se ai nuk ka dëgjuar asnjë premtim për edukimin e vajzave nga ministrat talebanë gjatë takimeve të tij lidhur me këtë çështje.
Që prej marrjes së pushtetit në gusht të vitit 2021, Afganistani është bërë shteti i vetëm në botë që ua mohon shkollimin grave. Aktualisht gratë dhe vajzat afgane nuk mund të shkollohen pas klasës së gjashtë dhe as të shkojnë në universitet.
Përveç shkollimit, gratë dhe vajzat afgane janë privuar edhe nga të drejta të tjera. Me ardhjen në pushtet talebanët premtuan në fillim se ata kishin ndryshuar që nga sundimi i kaluar, por në muajt në vazhdim ata shtuan kufizimet për gratë.
Tv Klan