Politikani Talat Xhaferi sot pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Ekipi i Klan Kosovës në krye me gazetarin Adriatik Kelmendi ka shkuar në shtëpinë e Xhafërit për ta intervistuar para se të shkojë në Kuvend për ta bërë betimin.
Gjatë intervistës, ai ka treguar për kohërat e vështira kur shteti Maqedonas ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve atje.
Madje, ekskluzivisht për Klan Kosovën ai ka rrëfyer se si dy fëmijëve të tij u ka lënë emra shqip.
“Unë kam dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Djali ka lindur në Leskoc, vajza në Gostivar. Edhe këtu dhe atje ishte çështja e ndalesës së emrave shqip dhe ajo përvojë nuk është vetëm e imja, por në përgjithësi. Edhe këtu dhe atje ishte lista paraprake e emrave që lejohej të përdoreshin nga shërbimet civile. Prej asaj liste duheshe me zgjedh një emër”, ka treguar Xhaferi.
“Unë e them emrin e djalit Barlet, merr ta shkruajë, dhe unë i them pa J”, ka shtuar ai.
Kur është pyetur se çfarë kuptimi ka ky emër, Talat Xhaferi i ka thënë se është një emër internacional, duke mos i treguar që korrespodon me emrin e Marin Barletit.
“Vajza mban emrin Besiana, motivimi ime ashti që e kalonim rrugën Besiana dhe nga aty ishte frymëzimi”.
Tutje, ai ka shtuar se në atë kohë ka pasur pengesa të theksuara dhe tani më nuk ka pengesa të tilla.