Takimi Mickoski-Filipçe! BDI: A përfaqëson kjo iniciativë fillimin e një riformatimi Post-Ohër?!

BDI ka kundërshtuar marrëveshjen e arritur mes Mickoskit dhe Filipçes, duke shprehur dyshime se kjo mund të jetë një marrëveshje për vazhdimin e koalicionit oligarkist. Mungesën e liderve të partive poltike shqiptare për këtë BDI akuzon se po ndërtohet një hierarki politike mbi bazë etnike.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë kundër marrëveshjes së arritur mes Mickoskit dhe Filipçes në takimin e liderëve të zhvilluar dje.

Integristët pyesin nëse para legjitimitetit, përkatësia etnike është kriteri për të marrë pjesë në këto negociata.

Sipas integristëve, nuk mund të ketë marrëveshje të re shoqërore mes partisë së parë që në këtë rast është VMRO-ja dhe partisë së tretë, respektivisht LSDM-së sipas rezultatit zgjedhor.

BDI dyshon se kjo është një marrëveshje për vazhdimin e koalicionit oligarkist, Mickoski – Zaev.

BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“A përfaqëson kjo iniciativë fillimin e një riformatimi post-Ohër të modelit kushtetues të Maqedonisë së Veriut? Pse në këtë takim nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i popullit shqiptar – as nga pozita, as nga opozita – nëse vërtet po diskutohet për të ardhmen e rendit shtetëror? A është ky një përpjekje për të ndërtuar një hierarki të re politike mbi bazë etnike, ku shqiptarët përjashtohen nga proceset thelbësore të vendimmarrjes? A është në këtë kuadër duke u diskutuar edhe mbrojtja e ndërsjellë nga përgjegjësia politike dhe ligjore – një lloj pakti joformal për mosndëshkim – për tragjedinë në Koçan, përballë tragjedisë së spitalit modular në Tetovë? Dhe në fund – a janë konsultuar fare partitë shqiptare të përzgjedhura nga Kryeministri për këtë takim? A kanë dhënë pëlqimin e tyre apo janë anashkaluar tërësisht?”

Nga ana tjetër, kreu i Lidhjes Social Demokrate Venko Filipçe nuk i ka pranuar dhe ka demantuar akuzat e partive shqiptare. Ka sqaruar se ftesa për takim ka qenë e hapur për të gjithë liderët e partive politike.

VENKO FILIPÇE

“Një kryetar i një partie shqiptare tha se takimi është humbje kohe, kurse tani na akuzojnë për takim mono-etnik. Iniciativa lindi pas tragjedisë në Koçan, pas të cilës konstatuam se ka pyetje të rëndësishme për shtetin dhe zhvillimin e shtetit për të cilat nevojitet bashkëpunimi i të gjitha partive politike, pavarësisht se kemi prapavi të ndryshme politike, kemi politika të ndryshme për të cilat kemi punuar dhe i kemi implementuar po dallojmë edhe në disa politika që ne i kemi për të ardhmen.”

Kujtojmë, kundër takimit Mickoski-Filipçe nuk reagoi vetëm BDI-ja. Ishte edhe Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës ajo që për takimin tha se LSDM-ja aktualisht është dega më e madhe e VMRO-DPMNE-së, reagoi edhe Skender Rexhepi si dhe analistët politikë shqiptarë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share