Vendet e rajonit transmetojnë energji dhe gatishmëri të fuqishme për realizimin e Planit të rritjes së BP-së. Ministrat e RMV-së, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Shqipërisë, sot në takimin e parë në vend, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, hapën diskutim dhe përcaktuan bazat për hapat konkretë të ardhshëm mbi zbatimin e tij nëpërmjet reformave për të cilat vendet do të marrin përkrahje financiare prej 6 miliardë eurove në 4 vitet e ardhshme, që lidhet ngushtë me zbatimin e reformave. Kjo u theksua në Takimin e parë ministror rajonal për Planin e rritjes së BP-së, ku nikoqir ishte Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Sigurojmë mjet të fuqishëm për rrugën tonë evropiane. Ky është plani më ambicioz i KE-së, i cili është edhe rezultat i kërkesave tona të kahmotshme dhe ka të bëjë me shfrytëzimin e përfitimeve të procesit të anëtarësimit në BE, ndërkohë që negociatat janë në proces e sipër. Është hera e parë që kemi rezervuar para në vlerë prej 860 milionë eurove për zbatimin e axhendës sonë reformuese”, theksoi zëvendëskryeministri
Ai shtoi se reformat do të përcaktohen bashkërisht me KE-në dhe se është e rëndësishme që ato të jenë realiste dhe të realizueshme. “Nuk na duhet listë dëshirash, na duhet një plan realist dhe i realizueshëm dhe në gjashtë muajt e parë tregojmë vullnet të mirë dhe vendosmëri për zbatimin e këtyre reformave të nevojshme. Tregues janë Raporti i progresit, raportet nga procesi i skriningut dhe ato vërejtje që kemi, si dhe t’i përcaktojmë afatet e realizimit të tyre. Natyrisht, nuk presim që të zgjidhet gjithçka në gjashtë muajt e parë, kjo do të arrihet në disa faza, me ç’rast me realizimin e fazës së parë do të vijojë edhe pagesa e transhesë së parë të mjeteve”, theksoi Mariçiq.
Siç sqaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi, gjysma e tyre do të jenë për përkrahjen buxhetore, ndërsa gjysma tjetër e mjeteve do të destinohen për investime.
“Çfarë do të sjellë plani për ne, për qytetarët dhe për ekonominë, si dhe çfarë nënkuptojnë për ne ato 6 miliardë. Ato janë 2 miliardë mjete grant nga qytetarët e BE-së në buxhetet tona dhe 4 miliardë do të jenë hua shtesë me kushte të favorshme dhe me periudhë më të gjatë maturimi nga ajo që ne financojmë në tregjet ndërkombëtare. Ky është plan me të cilin destinohemi shumë më afër zbatimit të reformave, përkatësisht ofron fokus më të madh dhe përkrahje financiare për realizimin e përshpejtuar të asaj që tashmë e kemi si proces me BE-në”, theksoi Besimi.
Sipas Besimit, ky është Plan i financimit të reformave të rritjes, duke vlerësuar se, nga diskutimi i sotëm inkurajues rezulton fakti se ai plotëson atë që ne po bëjmë nëpërmjet proceseve të ndryshme për axhendat reformuese, strategjitë zhvillimore nacionale, si dhe për përshpejtimin e proceseve dhe shfrytëzimin e sinergjisë ndërmjet tyre.
Drejtori Koopman, diskutimin e sotëm e vlerësoi si të shkëlqyer dhe si më produktiv sesa pritej.
“Filluam në mënyrë të shkëlqyer dhe mund t’ju përgëzoj për energjinë dhe largpamësinë që keni treguar sot. Patëm diskutim të shkëlqyer me ministrat e të gjitha vendeve dhe ai ishte më produktiv sesa prisnim. Nga ky plan pritet arritja e dyfishimit të rritjes së vendit tuaj, përkatësisht dyfishimi duhet të arrijë në 12 mijë euro për banor, ndërsa kjo do të arrihet me integrimin në tregun e brendshëm të BE-së, duke ndihmuar integrimin e tregjeve tuaja, me investime të përkrahura deri në 6 miliardë euro”, theksoi Koopman në konferencën për shtyp.
Ai vlerësoi se ky është plan ambicioz që premton shumë energji të transmetuar në takimin e sotëm. “Ka ende shumë punë për të bërë, por do të vazhdojmë me bisedimet në Bruksel javën e ardhshme”, tha Koopman. “Ramë dakord që të komunikojmë dhe e përgëzoj Qeverinë për iniciativën dhe kjo tregon një fokus të shkëlqyer. Plani i rritjes do ta përshpejtojë procesin tuaj paraaderues. Unë shoh se po planifikoni reforma dhe se anëtarësimi në BE është shumë afër dhe ne dëshirojmë që të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor në BE”, nënvizoi drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe shtoi se zbatimi i reformave është krucial për Planin e rritjes dhe duhet të zbatohet për të siguruar përkrahje financiare.
“Paratë ndahen nëse reformat zbatohen në përputhje me axhendën reformuese të miratuar nga BE-ja dhe dëshirojmë që ta përshpejtojmë procesin e integrimit të rajonit”, tha Koopman.
Takimi ministror rajonal ishte takimi i parë pas miratimit të Planit të rritjes së BP-së, ku morën pjesë ministra dhe kryenegociatorë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Ky është vetëm fillimi i dialogut që do të vijojë edhe në periudhën e ardhshme.