Takimi i Kryetarit Xhaferi me O’Brajan

Ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve për çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Xhejms O‘Brajan, i cili është në vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rastin e takimit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, që mbahet në Shkup, i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve, SH.S. Angela Ageler, ndihmës administratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, SH.S. Erin E. Mekki dhe shefin e seksionit politik dhe ekonomik në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, Dejvid Mejers, realizuan takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kryetari i uroi mysafirit dhe të pranishmëve të tjerë mirëseardhje të ngrohtë në dhomën ligjvënëse dhe falënderoi për kultivimin e raportit të përkushtuar ndaj vendit tonë në kuadër të partneritetit bilateral, si aleat në NATO dhe si një kontribuues i rëndësishëm në nismat rajonale. Ai theksoi se partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve bazohet në vlera dhe interesa të përbashkëta, ndërsa Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në për një sërë çështjesh, duke përfshirë sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe sundimin demokratik. Partneriteti strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është gur themeli i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për arsye se të dyja shtetet punojnë së bashku në një sërë çështjesh, përfshirë këtu sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe këmbimin kulturor. Konfirmoi se edhe më tej mbetemi të përkushtuar në vazhdimin e punës së përbashkët për promovimin e demokracisë, qeverisjes së mirë, luftës kundër korrupsionit, të drejtave të njeriut dhe sigurisë së vendeve tona, të rajonit dhe botës. Aspekt i veçantë i partneritetit të përbashkët është realizimi i qëllimit tonë strategjik të mbetur – anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për çka, krahas hapave të ndërmarra reformuese dhe implementimit të arritjeve nga procesi i skriningut, me rëndësi shumë të madhe është edhe mbështetja e miqve ndërkombëtarë.

Kryetari Xhaferi e informoi bashkëbiseduesin për përfitimet e arritura në punën parlamentare dhe për sigurimin e pavarësisë buxhetore të Kuvendit, për statusin e veçantë të Shërbimit të Kuvendit, për nxjerrjen e Rregullores së re në kuadër të procesit “Dialogu Zhan Mone”, a e njoftoi edhe me agjendën aktuale të Kuvendit në vigjilje të zgjedhjes së Qeverisë teknike dhe aktiviteteve tjera në raport me zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.

Ndihmës sekretari shtetëror O’Brajan, drejtoi urime për Kryetarin Xhaferi për gjithë atë që është arritur në Kuvend dhe për proceset e përgjithshme politike që rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO dhe për fazën e re të proceseve të avancuara dhe partnere me Bashkimin Evropian.  Njëherazi, e theksoi gatishmërinë e Qeverisë amerikane të ofrojë mbështetje të mëtejshme për vendin në planin e integrimit në BE, si edhe në suazat e Planit për rritje, nismë e BE-së për rritjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Konfirmoi se SHBA-të janë çdoherë të gatshëm tu ndihmojnë vendeve dhe liderëve politikë të cilët kanë vizion të bëjnë mirë për vendin dhe për qytetarët e vetë dhe të cilët punojnë me përkushtim në atë drejtim. Plani për rritje parashikon që çdo vend i Ballkanit Perëndimor të zbatojë reforma dhe me këtë të hyjë në tregun e vetëm të Unionit. Janë identifikuar dy projekte me dinamikë të realizimit në muajt e ardhshëm, për çka O’Brajan shprehu pritje se Xhaferi, si Kryeministër i ardhshëm teknik të japë mbështetje që të njëjtat të mund të realizohen pa pengesa.  Ato janë projekti për reduktimin e harxhimeve gjatë transferimit të mjeteve financiare dhe projekti për lehtësimin e transferimit të trafikut kargo. Ky do të jetë një stimul i madh për biznesin dhe investimet tejkufitare, dhe si rezultat do të sjellë deri në përmirësimin e konsiderueshëm të gjendjes së përgjithshme ekonomike në vend.

Bashkëbiseduesit ndanë pritjet se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas zgjedhjeve, do të vazhdojnë aktivitetet e filluara kah finalizimi i raporteve me BE-në dhe do të shfaqet gatishmëri dhe vizion që të gjithë faktorët politikë në vend të kontribuojnë në ardhmërinë e ndritur të qytetarëve të këtij vendi, të gjeneratave aktuale dhe të ardhshme.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share