Serbia konfirmon prezencën në Bruksel: Diskutojmë Asociacionin
Të enjten do të mbahet takimi i radhës ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel. Nga qeveria e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në takim.
Ndërkohë ftesën për takimin e radhës Lajçak ia ka dorëzuar gjatë së martës Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Vuçiç raportohet se ka insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, ka thënë se në takimin e së enjtes do të diskutohet teksti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pala jonë është shumë e përgatitur dhe po shkojmë me një ekip të posaçëm ekspertësh ku do të diskutojmë tekstin e statutit të ASK-së, që është hapi i parë konkret drejt formimit të Bashkësisë së Komunës Serbe”.
Më 7 Nëntor, Lajçak vizitoi Kosovën, ku diskutoi me përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Propozimi i ri u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë nga anëtarët e “Pesëshes së Madhe” gjatë vizitës së tyre në këto dy shtete më 21 Tetor.
Tv Klan