Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarë të Bankës Qendrore në takimin që do të zhvillohet të martën në Bruksel ku do të diskutohet cështja e dinarit.
Në një përgjigje nga Banka Qendrore thuhet se zyrtarë të saj kanë shprehur gatishmërinë që të angazhohen dhe takohen edhe me përfaqësues të Bankës Popullore të Serbisë.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)..Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thonë nga Banka Qendrore e Kosovës.
Por në këtë takim nuk dihet nëse do të ketë zyrtarë të Bankës Popullore të Serbisë pasi që në këtë shtet kanë deklaruar se shefi i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori Petar Petkoviq, do ta përfaqësojë Serbinë.
E nga qeveria e Kosovës nuk ka përgjigje nëse dikush do të udhëtoj në Bruksel. Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besik Bislmi, ka referuar TV Klan që përgjigjen ta marrë në Bankën Qendrore.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të cilit i ishte dërguar ftesa nga Brukseli ditë më parë ka konfirmuar se ai nuk do të marrë pjesë në këtë takim./tvklan.mk