Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot u takua me Gabriel Escobarin, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, njoftojnë nga MPJ, përcjell KlanM.
Në fokus të bisedimeve, siç thuhet, ka qenë situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës Osmani e ka informuar përfaqësuesin e lartë amerikan për Planin 9-pikësh për deeskalimin e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin, siç përcjell KlanM, e ka iniciuar në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së.
“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian paraqet çështje sigurie dhe për këtë arsye përshpejtimi i proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie kyçe për ruajtjen e stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në Europë si tërësi. E vlerësojmë lart mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së në atë drejtim, që është interes i përbashkët strategjik, por edhe garanci për kufizimin e ndikimit të palëve të treta”, theksoi Osmani.
Në takim, siç njoftojnë nga MPJ, është diskutuar edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të Dialogut Strategjik, si dhe për mbështetjen e përgjithshme për forcimin e institucioneve demokratike, përparimin në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Në margjinat e Forumit të Dubrovnikut 2023, Osmani ka zhvilluar takim me Kryetaren e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odil Renaud-Baso, ndërsa do të zhvillojë takime të veçanta edhe me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Marija Gabriel, dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Armenisë, Ararat Mizorjan./KlanMacedonia