Tajvani pret një tjetër delegacion të SHBA-së

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka pranuar të hënën një tjetër delegacion nga Shtetet e Bashkuara, teksa tensionet me Kinën vazhdojnë të jenë të larta.

Eric Holcomb, guvernator i shtetit amerikan, Indiana, ka arritur në Taipei për vizitë katërditore.

Vizita e tij vjen pas udhëtimeve që kanë realizuar zyrtarë të lartë amerikanë në këtë vend, përfshirë udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Këto vizita kanë tensionuar Kinën, e cila kundërshton kontaktet zyrtare të Taipeit me shtetet tjera.

Tajvani është ishull që vetëqeveriset prej vitit 1949, por Kina e konsideron të sajin.

Si përgjigje ndaj vizitës së Pelosit, Kina ka zhvilluar disa ditë stërvitje të mëdha ushtarake.

Tsai e ka theksuar në bisedë e sipër me Holcombin se, SHBA-ja dhe Tajvani janë aleatë kyçë për ekonomi në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Tajvani është përballur me kërcënime ushtarake nga Kina, në dhe rreth Ngushticës së Tajvanit. Në këtë moment, aleatët demokratikë duhet të qëndrojnë së bashku dhe të rrisin bashkëpunimin në të gjithë fushat”, ka thënë Tsai.

Holcomb ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Ekonomisë së Tajvanit, për të lehtësuar biznesin dhe tregtinë bilaterale, ashtu sikurse bashkëpunimin shkencor. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share