Vetëm veting i burimit të pasurisë së gjithë politikanëve pa përjashtim në 30 vitet e fundit dhe zbardhja e privatizimit – garanci për sundimin e ligjit – thonë nga BDI-ja, duke I bërë thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë përdorimin e propagandës antikorrupsion për përfitime partiake dhe për të krijuar një perde tymi për të mbuluar dështimet e saj në integrimin europian dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
BDI
Në vend që të vazhdojë me këtë qasje manipulimi dhe drejtësie selektive, kërkojmë që qeveria të fillojë pa vonesë një proces të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të vetingut për të hetuar burimin e pasurisë së politikanëve gjatë 30 viteve të fundit dhe mënyrën se si janë kryer proceset e privatizimit. Kjo është mënyra e vetme për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm ligjor. Historia ka treguar se çdo përpjekje për të përdorur antikorrupsionin si një vegël për revanshizëm politik dhe mbulim të skandaleve do të kthehet në një bumerang që do të godasë vetë ata që e nxisin.
Nga VMRO-DPMNE thonë se BDI dhe LSDM-ja kanë bërë presione ndaj gjyqësorit, kurse vendimet janë marrë sipas dikatit partiak.
BRANE PETRUSHEVSKI – VMRO DPMNE
“Në situatën kur e dijmë se Grubi u ka dhënë formë vendimeve gjyqësore, logjikisht shtrohet pyetja, sa lëndë kanë përfunduar sipas diktatit të tij? Artan Grubi dhe LSDM kanë privatizuar gjyqësorin. Panika tek LSDM-BDI është se tashmë nuk mund të ndikojnë në vendimet dhe akuzat dhe duhet të përgjigjen për krimet që kanë bërë”
Ndërkaq, sot gjatë një prononcimi për mediat, Blerim Bexheti nga BDI-ja, bëri të ditur se politikanët maqedonas, qofshin të VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së, derisa me një lehtësi të madhe e hedhin poshtë këtë kërkesë të BDI-së, nga ana tjetër, sic tha Bexheti, shiten sikurse bëjnë tentativa për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
Sipas Bexhetit, zgjidhja e vetme që nuk do të kishte qasje selektive dhe e pranueshme edhe për faktorin ndërkombëtar është vetting gjithëpërfshirës.