Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe laburisti Keir Starmer u përballën në debatin e parë televiziv para zgjedhjeve të përgjithshme, me debate të nxehta mbi taksat, shërbimin shëndetësor dhe emigracionin.
Sunak, e cilësoi arritje uljen e numrit të emigrantëve të paligjshëm si dhe nëse qëndron sërish në pushtet ai theksoi se plani për të dërguar azilkërkuesit në Ruandë do të zbatohet.
“Gjatë 12 muajve të fundit, numri i kalimeve ka rënë për një të tretën sepse planet që kemi vendosur kanë filluar të bëjnë ndryshim. Por e vetmja mënyrë për ta ndalur këtë problem është t’u thuash njerëzve që vijnë këtu ilegalisht, ata nuk mund të qëndrojnë dhe do të largohen. Nëse unë do të jem kryeministri juaj sërisht, aeroplanët do të shkojnë në Ruandë. Pra, pyetja e thjeshtë për Keir Starmer është se çfarë do të bëni me njerëzit që vijnë këtu ilegalisht?”
Starmer u shpreh se nëse laburistër korrin fitore absolute do të shkatërrojmë bandat dhe do të konsideronte përpunimin e kërkesave për azil në një vend të tretë për sa kohë që ai nuk shkel ligjin ndërkombëtar.
“Ne duhet të shkatërrojmë bandat që drejtojnë këtë tregti, duke fituar një shumë të madhe parash, duke rrezikuar jetën e njerëzve përtej kanalit dhe duke bërë pasuri. Nuk besoj se është e pamundur të rrëzohen këto banda. Ajo që nuk do të bëj është të përfshihem në skemën e Ruandës që mund t’a cilësoj një mashtrim të shtrenjtë. Nëse Sunak do të besonte se do të funksiononte, ai nuk do të kishte thirrur zgjedhje para se të testohej, ai nuk do ta kishte bërë atë.”
Të dy liderët shfrytëzuan mundësinë për t’u treguar votuesve historitë e tyre personale, duke folur për mënyrën sesi përvojat e tyre të fëmijërisë i kishin formësuar pikëpamjet e tyre politike.
Sondazhet tregojnë se epërsia e laburistëve është më e fortë kundër konservatorëve, të cilët kanë qenë në pushtet që nga viti 2010. Disa debate të tjera janë planifikuar përpara ditës së votimit, me drejtues të shumtë partish si dhe dy kandidatët kryesorë.