Sulmuesi që në janar goditi me thikë në qafë liderin e opozitës koreane dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lee Jae-myung, është dënuar me 15 vjet burgim. Një bashkëpunëtor i dyshuar në sulmin me thikë mori 1 vit e gjysmë burgim.
Gjykata e Qarkut Busan tha të premten se krimi nuk ishte thjesht një përpjekje për t’i hequr Lee të drejtën e tij për jetë, por një akt që minon rëndë konsensusin shoqëror dhe besimin në rendin bazë të demokracisë së lirë duke ndërhyrë në lirinë e zgjedhjes.
Sulmuesi, Kim Jin-seong, besonte se “forcat pro Koresë së Veriut” po vononin gjyqet kundër Lee. Pasi Lee humbi në zgjedhjet e vitit 2022, akuzat për korrupsion u ngritën kundër tij. Lee i quajti akuzat një sulm politik dhe tha se një “regjim diktatorial” po injoronte sundimin e ligjit.
Sipas policisë, Kim e kishte planifikuar sulmin për muaj të tërë dhe e kishte ndjekur Lee-në në tubime të tjera përpara se ta godiste me thikë.