Një turist italian është viktima e një sulmi terrorist me makinë pranë një shëtitoreje në qendër të Tel Avivit, ku mbetën të plagosur edhe 7 turistë të tjerë. Viktimë mbeti avokati 36-vjeçar nga Roma, Alessandro Parini. Një tjetër turist italian është mes të plagosurve dhe 3 të tjerë britanikë. Autori është një shtetas arabo-izraelit, i identifikuar si Jusef Abu Xhabër, i cili pas sulmit u qëllua për vdekje nga policia e Tel Avivit.
Në lidhje me sulmin terrorist, Kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter ku ka shprehur mbështetjen në emër të Shqipërisë për Izraelin dhe për të gjithë fqinjtë myslimanë që kanë zgjedhur rrugën e paqes.
“Jemi shumë të pikëlluar nga sulmet pa dallim ndaj Izraelit që kanë rezultuar në humbje jetësh dhe dënojmë me forcë autorët dhe mbështetësit e tyre. Shqipëria qëndron në krah të Izraelit dhe të gjithë fqinjve të saj myslimanë që kanë zgjedhur rrugën e paqes dhe bashkëpunimit”, shkruan kryeministri Rama./tvklan.al