Të paktën gjashtë persona, përfshirë një vajzë 10-vjeçare dhe nënën e saj, janë vrarë nga një sulm raketor rus në qytetin ukrainas, Kryvyi Rih.
Zyrtarët thanë se 75 të tjerë, përfshirë 25 fëmijë, u plagosën kur raketat u përplasën në një ndërtesë të lartë banimi herët të hënën.
Guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, shpalli ditë zie për viktimat. Qyteti i lindjes së Presidentit Volodymyr Zelensky, Kryvyi Rih ka qenë një objektiv e vazhdueshme për sulmet ruse.
Në qershor, 11 persona vdiqën dhe 28 të tjerë u plagosën në qytet pasi Rusia nisi një “sulm masiv me raketa” ndaj ndërtesave civile.
Nga sulmi i fundit kishte dhjetëra njerëz të shtruar në spital, duke përfshirë fëmijë të moshës nga katër deri në 17 vjeç.
Presidenti Zelensky, i cili u rrit në qytetin me 600,000 banorë, tha se një palë raketa u përplasën në bllokun e apartamenteve të banimit dhe një ndërtesë universiteti herët në mëngjes të hënën.
Duke shkruar në Telegram, udhëheqësi ukrainas tha se më shumë se 350 njerëz ishin të përfshirë në operacionet e shpëtimit dhe Lysak tha më vonë se 30 persona të tjerë u shpëtuan nga ndërtesa nga punonjësit e urgjencës.
Presidenti Zelensky shtoi se “dhjetëra njerëz” kishin mbetur të traumatizuar dhe plagosur nga sulmi, por u zotua se “ky terror nuk do të na frikësojë apo na thyejë”.