Sulmi në spitalin “Al Ahli” shkaktoi qindra viktima, Sunak: Dyshime se raketa u lëshua brenda Gazës

“Qeveria e Britanisë së Madhe në bazë të analizave të bëra nga inteligjenca britanike ka dyshime se shpërthimi në spitalin “Al-Ahli” të Gazës, ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një raketë ose pjesë raketa që është lëshuar brenda Gazës drejt Izraelit.” Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit britanik, Rishi Sunak, gjatë fjalës së tij në Dhomën e Komunave.

Gjatë fjalës së tij, Sunak është shprehur se “keqraportimi i incidentit në spitalin e Gazës kishte efekt negativ në rajon”.

“Ne duhet të sigurohemi që në të ardhmen të mos ketë nxitim për të gjykuar. Ky është një moment për kujdes dhe kujdes të madh, por edhe për qartësi morale. Shpresa te njerëzimi duhet të fitojë kundër terrorizmit”, tha ai në Dhomën e Komunave.

Duke e krahasuar luftën në Gaza me luftën në Ukrainë, Sunak deklaroi: Putini do të dështojë, po ashtu edhe Hamasi.

Kujtojmë se autoritetet palestineze të kontrolluara nga Hamasi, fajësuan menjëherë Izraelin për shpërthimin e javës së kaluar në spitalin Al-Ahli, duke pretenduar se ai u shkaktua nga një sulm ajror i qëllimshëm.

Më pas, Izraeli nxorri ​​prova që tha se vërtetonin se Xhihadi Islamik Palestinez (një tjetër grup militant që vepron në Gaza), ishte përgjegjës për shkak të një rakete të gabuar. Nga ana tjetër, Xhihadi Islamik mohoi të kishte rol në sulmin e spitalit në Gaza./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share