Këshilli i Sigurisë së OKB-së, BE-ja, OSBE-ja, Franca dhe vende tjera kanë dënuar sulmin terrorist në Moskë, ku përgjegjësinë e ka marrë Shteti Islamik.
Sipas njoftimeve, deri tani janë mbi 140 viktima, kurse pritet që numri të rritet. Janë arrestuar 11 persona, në mesin e të cilëve edhe katër të implikuar drejtpërdrejtë në sulmin.
Është prononcuar edhe Presidenti rus, Vladimir Putin, duke e quajtur sulmin akt barbar.
“Si nacistë, kanë menduar të kryejnë ekzekutime demonstrative. Të gjithë ekzekutorët, porositësit dhe bashkëpjesëmarrësit do të dënohen. Do ta dënojmë secilin që u reshtua me terroristët dhe përgatiti këtë sulm ndaj vendit dhe popullit” – tha Putin.
Dmitri Medvedjev, zv/drejtuesi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ruse tha se “kundërpërgjigjja do të jetë mjaft e ashpër” nëse zbulohen lidhjet e Kievit me këtë ngjarje. Ukraina e mohoi kategorikisht përfshirjen.
Nëpër rrjetet sociale qarkullojnë video-materiale ku pretendohet se rusët marrin në pyetje një nga sulmuesit, për të cilin thuhet se është nga Taxhikistani. Sipas njoftimeve, ai ka pohuar se është kontaktuar para një muaji përmes rrjetit Telegram dhe se I është premtuar shpërblim financiar.
Zbulimi amerikan e paralajmëroi Moskën për akte të mundshme terroriste, por autoritetet ruse sipas Uashingtonit refuzuan thirrjet amerikane, duke i quajtur “propagandë”. /tvklan.mk/