Sulmi në Kosovë, Kryeministri i Kroacisë: Nuk ka ndodhur rastësisht, ndërkombëtarët të reagojnë qartë ndaj Serbisë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka dënuar sulmin nga një grup terrorist serb në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një punonjës i Policisë së Kosovës.

Në një konferencë shtypi nga Zagrebi në krah të Kryeministrit Edi Rama i cili po zhvillon një vizitë zyrtare aty, Plenkoviç u shpreh se ky sulm nuk ka ndodhur rëstësisht dhe kjo u duk nga numri i madh i armatimit.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga grupe të armatosura që kanë qenë të armatosur në formë të tillë që këtu bëhet fjalë për operacion të planifikuar. Nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Kjo ngjarje është sinjal i fortë që tregojnë se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën, situatën në hapësirën e Europës Juglindore”.

Kryeministri kroat bëri thirrje gjithashtu që komuniteti ndërkombëtar të reagojë me forcë dhe vendosmëri ndaj Serbisë, si dhe të mbështesë institucionet e Kosovës. Plankoviç foli edhe për masa të Bashkimit Europian ndaj Serbisë, që mund të jenë në të njëjtin nivel me masat e marra ndaj Kosovës disa muaj më parë.

“Gjithashtu reagimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë i qartë dhe i fortë dhe duhet të përkrahin institucionet e Kosovës dhe nga ana tjetër duhet të bëjmë përpjekje për të parandaluar çdo lloj eskalimi të gjendjes. Bëhet fjalë për masat që KE mund t’i ndërmarrë. Bëhet fjalë për disa prej programeve të BE dhe masa të tilla janë ndërmarrë edhe ndaj Kosovës para disa muajsh”.

Edhe Kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin e tij që vrasja e policit të Kosovës dhe mbajtja e zisë në Serbi për grupin terrorist, janë të dënueshme.

 

“Vrasja e një efektivi nga një grup kriminal në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi, janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe janë të dënueshme. Ky është qëndrimi ynë dhe padiskutim që duke qenë promotorë të dialogut të normalizimit të paqes përfundimtare që kalon nga njohja përfundimtare e Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare kërkoi nga BE që më së paku të aplikojë ndaj Serbisë të njëjtat masa që janë aplikuar ndaj Kosovës disa muaj më parë.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share