Autoritetet gjermane kanë vendosur në pranga tre persona të tjerë të dyshuar për sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku humbën jetën pesë persona mes tyre një fëmijë dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.
E përditshmja Bild shkruan se të tre personat e arrestuar ndodheshin të pranishëm në momentin e sulmit, ndërsa brohorasin pas aktit tragjik që kreu autori Taleb Abdulmohsen, i cili goditi të pranishmit me një automjetin e tij që e drejtonte me shpejtësi.
Hetuesit po zbulojnë nëse ata janë bashkëpuntorë të autorit dhe nëse ky i fundit është ndihmuar nga të tjerë, edhe pse më herët në media u raportua se mjeku 50 vjeçar kishte vepruar i vetëm. Ndër të tjera, autori, një shtetas saudit i cili ka mbërritur në Gjermani në 2006-ën dhe ka përfituar të drejtën e azilit 10 vite më vonë, ka në kërkim nga autoritetet e vendit të tij. Taleb Abdulmohsen shquhet si opozitar në Arabinë Saudite, ndërsa ka në Gjermani është përfshirë në organizata që lehtësojnë procedurat e azilit për shtetasit nga ky vend që përndiqen politikisht. Në një postim në rrjetin X një vit më parë, ai akuzonte qeverinë gjermane se përndiqte vajzat dhe gratë saudite që kërkonin azil. Abdulmohsen paralajmëronte se do ta bënte Gjermaninë të paguante për këtë. Arabia Saudite kishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Gjermaninë për pikëpamjet ekstremiste të të dyshuarit përpara sulmit në tregun e Krishtlindjeve
Ndërkaq pas goditjes fatale në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, autori i dyshuar ndodhet në paraburgim. Ndaj mjekut 50 vjecar rëndojnë akuzat për vrasje, tentativa për vrasjen e disa personave dhe disa akuza për lëndime të rënda trupore.
Shumë njerëz në Magdeburg mbajtën një ceremoni për viktimat dhe të afërmit e tyre. Sipas vlerësimeve të policisë, më shumë se 1000 njerëz morën pjesë në përkujtimoren para katedrales.
Mesha u ndoq nga familjet e viktimave, punonjës të urgjencës dhe zyrtarë të qeverisë federale, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz. Qytetarët vendosën lule dhe ndezën qirinj për viktimat.
Nga ana tjetër mijëra njerëz, kryesisht mbështetës të Alternativës për Gjermaninë, protestuan për riatdhesimin e të gjithë emigrantëve.