Kurti: Sulmin në Banjskë e kreu “Klani i Novi Sadit”?!

GJYKATË SPECIALE PËR KLANIN E NOVI SADIT?!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook tha se sulmin, siç u shpreh ai, “paramilitar dhe terrorist”, ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit e kreu “Klani i Novi Sadit i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq, shkruan në Facebook, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”, tha Albin Kurti.

Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit, shkruan Kurti duke shtuar se Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një “capo-di-tutti-capi”, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Kryeministri i Kosovës ka edhe një mesazh për faktorin ndërkombëtar.

“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti, paralajmëroi se në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të “Delije” (tifozët e Cërvena Zvezdës).

Kosova dhe Serbia kanë nisur hetime paralele për ngjarjet në Banjskë, ndërkohë që Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share