Sulmi ndaj Gazmend Muhaxherit, çka dihet deri tash e kush reagoi?

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e sotëm. Të njëjtit janë ndaluar për 48 orë. Muhaxheri është lajmëruar në rrjete sociale pas sulmit, ku ka thënë se është shëndoshë e mirë. Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të krejt asaj që dihet lidhur me sulmin ndaj tij dhe reagimet për rastin.

Në Qendrën Zejtare në Pejë, sot është sulmuar Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Komunës së Pejës. Si të dyshuar për sulmin, janë arrestuar dy persona.

Pas sulmit, Muhaxheri ka bërë një reagim në llogarinë e tij në Facebook, ku ka thënë se është shëndoshë e mirë.

“Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin”, ka shkruar Muhaxheri, bashkë me një foto ku shihet i rrethuar nga miqtë e tij.

Rastin e konfirmoi fillimisht Policia e Rajonit të Pejës, e më pas detaje dha edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj.

Zëdhënësi i Policisë, Driton Rugova, tha se Muhaxheri ka marrë lëndime trupore,

“Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga perona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës, i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar”, deklaroi Rugova.

Kryeprokurori Kumehaj bëri me dije se Muhaxheri është dërguar në spital për të parë natyrën e lëndimeve.

“Informata është ende jo zyrtare, por ka qenë i sulmum fizikisht në mëngjes nga një person edhe policia e ka dërgu Kryetarin në Spital për me pa natyrën e lëndimeve. Tash prokuroren e dërgova në vend të ngjarjes dhe të kontakton direkt me kryetarin. Personi që e ka sulmu është ndalu dhe tani do të vazhdojmë me masa ndaj tij”, deklaroi Kurmehaj për Express.

Ndaj dy të dyshuarve, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Sipas raportimeve të mediave, të dyshuarit janë K.L dhe D.L, mirëpo kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se në koordinim të plotë me Policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

“Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi.

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e dënoi sulmin dhe tha se Muhaxherin s’mund ta ndalin e as ta frikësojnë, raporton Express.

Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të mbajnë përgjegjës ata që e sulmuan.

“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, ka shkruar Abdixhiku, teksa ka publikuar edhe një foto bashkë me Muhaxherin.

Me reagim ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku kanë thënë se e dënojnë ashpër një sulm të tillë të dhunshëm dhe kanë kërkuar nga institucionet e rendit që të ketë rezultate të shpejta për këtë çështje dhe që të mbahen përgjegjës para drejtësisë autorët e sulmit.

“Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë”, është thënë në reagim.

Reagime kanë bërë edhe deputetë të LDK’së. Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se kushdo që ka synuar ta sulmojë Muhaxherin me synimin e frikësimit, ka gabuar adresë.

“Gazi bën ballë më shumë se ç’ja pret mendja e mban trupi mediokërve që dhunën e kanë mjet. Janë të vegjël, tejet të vegjël karshi Gazit”, ka shkruar ajo.

Zyrtari i LDK’së, Visar Azemi, e ka cilësuar këtë sulm si kërcënim për demokracinë dhe sigurinë.

Azemi ka thënë se lajmi për sulmin është i papranueshëm, derisa ka thënë se duhet bërë bashkë kundër dhunës dhe të kërkohet drejtësi për këtë rast.

“Lajmi për sulmin ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është i papranueshëm. Një akti i tillë i dhunshëm është një kërcënim për demokracinë dhe sigurinë tonë. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar kundër dhunës dhe të kërkojmë drejtësi për këtë rast.  Jemi afër kryetarit Muhaxheri dhe familjes së tij në këto momente të vështira”, ka thënë Azemi.

Reagim për sulmin ka bërë edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, i cili e ka quajtur këtë si akt të shëmtuar dhe të pabesë.

Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që të ndërmarrin masat e nevojshem për të sjellë autorët para drejtësisë.

“Pavarësisht dallimeve apo pakënaqësive, siguria dhe shëndeti i kryetarit të qytetit duhet të jetë prioritet për të gjithë”, ka shkruar Agusholli.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share