Aktivistë kurdë, politikanë të krahut të majtë dhe grupe aktivistësh për të drejtat e njeriut, marshuan të shtunën në Paris kundër racizmit. Ky zhvillim pason sulmin me armë zjarri në një qendër kulturore kurde, ku si pasojë u vranë tre persona dhe u plagosën tre të tjerë. Prokurorët tha se sulmi kishte motive racore.
Ngjarja ka rritur shqetësimet për krime me bazë urrejtjen kundër grupeve minoritare në një kohë kur vitet e fundit, zërat e ekstremit të djathtë kanë fituar peshë në Francë dhe në mbarë Evropën.
Autori i dyshuar për sulmin është plagosur dhe ndodhet në paraburgim. Ai është një 69-vjeçar, nga Parisi, ndaj të cilit u ngritën akuza vitin e kaluar për një tjetër sulm ndaj emigrantëve. Ai u lirua në fillim të këtij muaji. Gjashtëdhjetë e nëntë vjeçari përballet me akuza të mundshme për vrasje me motive racore, tha të shtunën zyra e prokurorit të Parisit.
Mijëra vetë u mblodhën të shtunën në “Place de la Republique” në lindje të Parisin, duke valëvitur flamuj shumëngjyrësh që përfaqësojnë grupet e të drejtave kurde, parti politike e të tjera kauza. Marshimi ishte kryesisht paqësore, por disa të rinj hodhën sende të forta në drejtim të policinë, e cila gjuajti me gaz lotsjellës. Disa prej protestuesve hidhnin parulla kundër qeverisë turke.
Sulmi ka tronditur komunitetin kurd në kryeqytetin francez duke detyruar policinë të vendosë forca shtesë në gatishmëri për fundjavën e Krishtlindjeve. Përpara tubimit të së shtunës shefi i policisë së Parisit u takua me anëtarët e komunitetit kurd në një përpjekje për të zbutur shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë.
Sulmi i së premtes përfshiu një qendër kulturore kurde, një restorant dhe një floktore aty pranë. Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se i dyshuari kishte qartësisht në shënjestër komunitetin e imigrantëve dhe kishte vepruar i vetëm. Autoritetet thanë se ai nuk është zyrtarisht i lidhur me ndonjë lëvizje të ekstremit të djathtë apo lëvizje të tjera radikale. I dyshuari ishte dënuar në të kaluarën për armëmbajtje pa leje dhe dhunë me armë.
Aktivistët kurdë thanë se së fundmi ishin paralajmëruar nga policia për kërcënime ndaj komunitetit kurd.
Në vitin 2013, tre gra aktiviste kurde, mes tyre Sakine Cansiz, një themeluese e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit,(PKK), u gjetën të vrara me armë zjarri në një qendër kurde në Paris.
Ushtria turke po lufton kundër militantëve kurdë të lidhur me PKK-në, një forcë politike e ndaluar në Turqinë juglindore, si dhe në Irakun verior. Ushtria turke gjithashtu ka nisur së fundmi një seri sulmesh ajrore dhe me artileri, kundër objektivave militante kurdo-siriane në pjesën veriore të Sirisë. /VOA