Sulmi i hakerave trondit Malin e Zi, humbasin një pjesë e të dhënave qeveritare online

Disa prej faqeve online qeveritare malazeze po vijojnë qe të jenë mbyllura për arsye sigurie pas sulmit kibernetik disa ditor që u ndermorr nga hakera të huaj. Këtu përfshihen edhe portali e-government. Mali i Zi ka informuar aleatët e NATO-s për detajet e sulmeve, të cilat janë shumë të ngjashme me ato të 2015 dhe 2016.

Qëllimi i hakerave ka qenë ai i kriptimit të të dhënave qeveritare ndërsa ekspertë të NATO-s po punojnë për rikthimin në funksion të një pjese të të dhënave pasi një pjesë tjetër është humbur përfundimisht. Problemet në funksionimin e serverëve të qeverisë kanë krijuar probleme edhe për tregtarët, të cilët nuk mund të japin fatura në kohën reale.

Ekziston frika se kulmi i sulmit disaditor kibernetik ndaj serverëve të Qeverisë së Malit të Zi nuk është arritur ende dhe se objektivi i hakerave mund të jetë e gjithë infrastruktura kritike që përbëhet nga sistemi i mbrojtjes, ai i transmetimit elektrik dhe i ujësjellësave.

Ky sulm vjen në një kohë që vendi ka një qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara e drejtuar nga Kryeministri i rrëzuar Dritan Abazoviç me një mocion mosbesimi në Parlament. Kundërshtarët e Abazoviç akuzojnë Rusinë për sulmin kibernetik, ndërsa vetë Kryeministri në detyrë pretendon se është një veprim i motivuar politikisht që filloi pas rënies së qeverisë së tij dhe se “koha do të tregojë se kush qëndron pas tij”. Ndërkohë, një sulm i ngjashëm ndodhi në Shqipëri muajin e shkuar, ku u tentua të vidhen të dhëna qeveritare dhe për disa kohë, shërbimet e faqeve u pezulluan.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share